“Presidenti nuk ka rol imponues, duhet të jetë i durueshëm”, Kurti i kthen letrën Thaçit 

Albin Kurti i ka kthyer një përgjigje letrës zyrtare që Presidenti Hashim Thaçi i dërgoi dy ditë më parë. Në këtë letër që zgjat dy faqe, Kurti i ‘sqaron’ Thaçit detyrën e Presidentit dhe se nuk duhet të ushtrojë presion në formimin e koalicionit, por vetëm të presi.

Sipas Kurtit, letra që Thaçi dërgoi kishte një mesazh ndërhyrjeje dhe paragjykimi në procesin e formimit të institucioneve kosovare.

“Mesazhi juaj përbën ndërhyrje dhe paragjykim të procesit të formimit të institucioneve dhe paralajmërim kërcënues. Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në procesin e caktimit të mandatarit apo dhe garantimit të një shumice parlamentare. Kushtetuta e Republikës sonë nuk i njeh presidentit një rol imponues në formimin e Qeverisë. Ai duhet të jetë i durueshëm dhe të presë”, shkruan Kurti.

Gjithashtu, ai ka njoftuar Presidentin se marrëveshja mes tyre dhe LDK për formimin e qeverisë është në fazën e fundit.

“Ju lusim që të mos bëni vlerësime politike dhe presion përmes paragjykimit të procesit politik të formimit të qeverisë. Ju informoj që ndodhemi në fazën e finalizimit të marrëveshjes më Lidhjen Demokratike të Kosovës”, e ka mbyllur letrën Kurti.

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto