Presidenti Meta refuzon të dekretojë anëtarin e dytë, mbetet pezull ngritja e Gjykatës Kushtetuese

Së fundmi, presidenti Ilir Meta ka marrë vendimin për të mos dekretuar emrin e dytë për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, duke sjellë që ngritja e kësaj Gjykate, të mbetet pezull.

Në njoftimin e Presidencës, bëhet e ditur se Meta beson se janë shkelur rregullat dhe afatet ligjore, pasi shton se nuk është respektuar rradha kronologjike për plotësimin e vendeve vakante.

Pjesë nga deklarata e Presidencës:

KED-ja me përcjelljen e njëkohshme të listave të kandidatëve për plotësimin e të dy vakancave që i përkasin Presidentit të Republikës, e ka vendosur Institucionin e Presidentit të Republikës në vështirësi, duke u përpjekur të krijojë një gjendje fakti ku Presidenti sipas KED-së do të duhet të shprehet brenda afatit ligjor 30-ditor edhe për emërimin e gjyqtarit tjetër për plotësimin e vakancës tjetër, eventualisht përpara se Kuvendi të shprehet për emërimin e gjyqtarit të dytë kushtetues.

Nëse Presidenti i Republikës, do të ndjekë këtë logjikë siç ka vepruar administrativisht Kryetari i KED-së, kjo do të çonte domosdoshmërisht në shkelje të parashikimeve të dispozitave të Kushtetutës  dhe të ligjit nr.8577/2000, për sa i takon respektimit të radhës së emërimit apo zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj kushtetues.

Në nenin 179 pika 2 të Kushtetutës, përcaktohet:

“Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Pra, sipas kësaj dispozite të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, nuk mund të emërojë dy gjyqtarë njëherazi, apo dy gjyqtarë njeri pas tjetrit, por vetëm anëtarin e parë, ndërkohë që anëtari i dytë i Gjykatës Kushtetues duhet të emërohet nga Kuvendi dhe i treti nga Gjykata e Lartë.

‘’Siç del qartë nga informacioni i përcjellë nga KED-ja, rezulton se Kryetari i KED-së, në të njëjtën datë 08.10.2019, ka realizuar procesin administrativ të dërgimit të listave pranë Presidentit të Republikës për plotësimin e 2 (dy) vakancave njëherazi. Nuk rezulton që KED-ja, në mënyrë kolegjiale, të ketë marrë ndonjë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili sipas nenit 226 pika 2/e, të ligjit nr.115/2016, ka si funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe t’ia përcjellë ato organit të emërtesës.

Procedura administrative e ndjekur nga Kryetari i KED-së për dërgimin e listave, siç do të sqarohet edhe më hollësisht më poshtë, krijon kushtet e një vështirësie ligjore, për të mos thënë që në një vlerësim prima facie bën logjikisht të pamundur që brenda 30-ditëve, Presidenti i Republikës të respektojë parashikimet kushtetuese që diktojnë radhën dhe alternimin e përzgjedhjes për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj kushtetues, respektivisht nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi, në cilësinë e organit të emërtesës.

Procesi i emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duhet të realizohet në respekt të plotë me procedurën dhe radhën që përcakton neni 179 pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenet 7 pika 2 dhe 86 pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Parashikimet kushtetuese dhe ligjore të mësipërme, saktësojnë në mënyrë shteruese, kompetencën, radhën kronologjike, alternancën dhe afatin kohor, brenda të cilit duhet të veprojë secili prej organeve të emërtesës, në rastet kur secilit prej tyre iu takon të emërojnë/zgjedhin më shumë se një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, në të njëjtën kohë.

Neni 179 pika 2 e Kushtetutës, përcakton: “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”, deklaron mes të tjerave presidenca.

Ju mund të pëlqeni dhe këto