Presidenti Meta mbi protestën: “Institucionet përgjegjëse të reagojnë ndaj shqetësimeve të studentëve”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar mbi protestën e studentëve që po zhvillohet kundra tarifave të larta për çdo provim të mbetur dhe taksave të shkollës.

Në njoftimin e Presidencës, Meta ka nxjerrë në vëmendje protestat e studentëve, duke iu drejtuar edhe institucioneve përkatëse që të reagojnë ndaj shqetësimeve të tyre.

“Duke vlerësuar situatën e krijuar, Presidenti Meta u bën thirrje autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe pergjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë studentët, në përputhje me kuadrin ligjor dhe të frymës së dialogut për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë në interesin më të mirë publik”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Meta thekson se duhen bërë me shumë përpjekje për një arsim dhe edukim sa më cilësor, që garanton shanse të barabarta për të gjithë, pavaresisht mundësive të tyre financiare.

“Rinia është aseti ynë me i çmuar kombëtar, ndaj dhe kujdesi ndaj shqetesimeve dhe aspiratave të tyre duhet të jetë prioritet i të gjithëve, sidomos i institucioneve”, ka deklaruar Kreu i Shtetit Ilir Meta.

Ju mund të pëlqeni dhe këto