Prej 4 orësh protestë, Basha i përgjigjet Ramës: “Policët të mos bëhet vegël e narko-qeverisë që u rrëzua sot”

Lidhur me deklaratat e Ramës ku e cilësoi opozitës si të dalë boje, ka reaguar Lulzim Basha, i cili në një prononcim për mediat u shpreh se “Aktet e dhunës janë shkaktuar si pjesë e një skenari dhunënxitës të Edi Ramës, të zbatuar nga narko-kupola e policisë së Shtetit”, duke theksuar deklaratën e tij të mëparshme.

Deklarata e Bashës:

Unë dua të falenderoj ata efektivë që nuk u bënë pjesë e këtij skenari, sikundër dua t’i bëj thirrje çdo efektivi të policisë, që ka për detyrë të mbrojë jetën e qytetarëve, ka për detyrë të garantojë të drejtën e tyre për të protestuar, të mos bëhet vegël e një narko-qeverie dhe një narko-kryeministri, i cili sot është rrëzuar përfundimisht nga ky bashkim i madh i shqiptarëve.

Pyetje: Zoti Basha, sa janë gjasat që protesta të përfundojë sot?

Basha: Keni sot lajme për gjithë ditën, për të gjitha çështjet e tjera do të flasim. Natyrisht që ne do të shqyrtojmë të gjitha hapat për të arritur objektivin e shqiptarëve; një qeveri të pakapur nga krimi, që garanton zgjedhje të lira e të ndershme dhe një parlament të pakapur nga krimi. E gjithë bota e ka parë sesi Edi Rama ka vjedhur zgjedhjet e 2017. Zëri i Amerikës ka publikuar vetëm majën e dosjes 339, një dosje gjyqësore. Janë kapur duke vjedhur pushtetin, janë kapur duke vjedhur paratë e shqiptarëve dhe janë kapur duke dhunuar popullin më të varfër. Ky është reagimi i popullit dhe rruga e zgjidhjes politike është largimi i Edi Ramës, një qeveri tranzitore që ka besimin e palëve për të bërë të gjitha reformat e nevojshme, përfshirë ato që garantojnë dhënien fund të shitblerjes së votës dhe në këtë mënyrë t’i hapim derën Shqipërisë për t’u futur në Evropë. Në Europë nuk shkohet kurrë me një narko-kryeministër, me një qeveri të kapur në vjedhje, kudo në Europë kur ndodh kjo, qeveria largohet dhe hajdutët shkojnë në burg, nuk vuan populli.

Pyetje: Si i komentoni reagimet e kryeministrit Rama, I cili ju quan një opozitë e dalë boje?

Basha: Unë nuk jam këtu për të komentuar broçkullat e një kryeministri hajdut, të kapur në vjedhje, por jam këtu për të mbështetur aspiratën e të gjithë shqiptarëve, të djathtë e të majtë, për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje. Kështu nuk vazhdohet më dhe kështu nuk do të vazhdohet më. Ky është fillimi i një qëndrese popullore, e cila do të diktojë çdo ndryshim që duan njerëzit. Është në dorën e njerëzve. Proceset politike, të cilat propozuam, përfshirë vetingun e politikanëve, u hodhën poshtë, sepse Edi Rama mendon se është zot i fateve të Shqipërisë. Sot shqiptarët po i tregojnë se kush është zot i fateve të Shqipërisë.​

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto