PD publikon kartelën e dënimit të Valdrin Pjetrit, reagon ky i fundit

Partia Demokratike publikoi disa dokumente të marra nga Kuestura e Firences që sipas saj faktojnë dënimin për trafik droge në Itali të kryebashkiakut të zgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri. Sipas selisë blu, ndalimi i Pjetri është bërë më 27 Janar 2003 kur ai ishte 21 vjeç, ku bashkë me të u ndalua edhe shtetasi Altin Doda.

“Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit. Më datë 3 Shkurt 2003 Vladrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti italian. Me vetëdije, me informacion të plotë për të kaluarën kriminale si trafikant droge, Edi Rama e emëroi Valdrin Pjetrin në 24 Korrik 2019 si drejtues politik të Partisë Socialiste në Qarkun Shkodër. Edi Rama heshti dhe urdhëroi Valdrin Pjetrin të mashtronte qytetarët e Shkodrës, duke i premtuar atij mbrojtje nga drejtësia”.

Ndërsa vetë Pjetri ka reaguar me një status në Facebook duke thënë: “Unë të vërtetën time e deklarova para kandidimit si dhe para pak ditësh me dokumenta zyrtare. E vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjensive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD.
Pres me padurim vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteve zyrtare shqiptare dhe italiane”.

Ju mund të pëlqeni dhe këto