Pasi Alla tha se do padiste Salianjin, reagon PD: “Qesharak dhe hilacak, Rama ka detyrim ta shkarkojë”

Pak më parë, kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, u shpreh se do të padiste Ervin Salianjin sepse e konsideron si autor të montazhit të videos në të cilën ai shihej duke pirë kokainë.

Së fundmi, ka ardhur reagimi i PD, ku Gazment Bardhi, e ka cilësuar këtë reagim të Allës si qesharak dhe hilacak. Në shkrimin e tij, Bardhi thotë se Rama ka detyrimin ligjor ta shkarkojë kryebashkiakun.

“Është qesharak dhe hilacak reagimi i Lefter Allës për të paditur Partinë Demokratike pse media publikoi videon, ku ai provohet si përdorues i kokainës. Haluçinacionet nga përdorimi i kokainës apo mbrojtja nga shkarkimi prej Edi Ramës nuk e ndihmojnë dot.

Edi Rama ka detyrimin ligjor dhe përgjegjësinë politike ta shkarkojë menjëherë nga detyra Mr. Kokainën e Bulqizës. Edi Rama e di se një përdorues kokaine ka njohje dhe lidhje me grupet kriminale të shpërndarjes së saj.

Heshtja dhe mosveprimi i Edi Ramës është një tjetër dëshmi që përzgjedhja e Lefter Allës është bërë për shkak të cilësisë së tij si përdorues kokaine dhe lidhjeve të tij me grupet kriminale të shpërndarjes dhe shitjes së kokainës.

Fshehja pas përgjegjësisë individuale të Lefter Allës, Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut, Mark Babanit, Qerim Ismailajt apo Agron Malajt, është pjesë e strategjisë së Edi Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin. Këta i ka përzgjedhur dhe emëruar Edi Rama. Ky është modeli dhe ekipi qeverisës që Edi Rama i ofron shqiptarëve! Pa largimin e Edi Ramës nuk mund të ketë ndarje të politikës nga krimi!”, shkruan Bardhi.

Ju mund të pëlqeni dhe këto