“Në futboll, muzikë e zgjedhje jemi më para se Shqipëria”, flet ambasadori kosovar në Tiranë

Sylë Ukshini, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, e ka konsideruar si një festë zgjedhjet e djeshme në Kosovë, ku e ka cilësuar procesin zgjedhor dhe fushatën si me etikë politike.

 “Dita e djeshme ka qenë një lloj feste dhe 100 mijë votues më shumë se zgjedhjet e kaluara treguan se njerëzit ishin shumë të interesuar për të dhënë votën e tyre. Edhe fushata ka qenë me një etikë politike që edhe për shumë vende të rajonit mund të jetë shembull. Për shkak të rrethanave ne jemi pjekur dhe para kohe. Në demokraci fitore është kur ka stabilitet dhe besueshmëri. Ky është një shembull për t’i thënë Brukselit se kosovarët padrejtësisht janë privuar nga lëvizja e lirë. Kosovarët kanë treguar se janë pjesë e Evropës”, tha Ukshini.

Ndërkaq, diplomati Kosovar ka thënë se Shqipëria dhe Kosova duhet të ecin përpara sepse janë një komb. Ai u shpreh se Shqipëria duhet ta pranojë që Kosova është më para në muzikë, futboll dhe organizim zgjedhjesh.

“Në kuptimin e interesit kombëtar, mendoj që marrëdhëniet Kosovë Shqipëri do jenë në trendet që kanë qenë dhe do të ecin përpara. Dy orientime strategjike të tjera të Kosovës do të jenë Uashingtoni dhe Brukseli. Shqipëria është partner i natyrshëm, jemi një komb dhe kemi një gjuhë. Në futboll, muzikë dhe zgjedhje duhet ta pranojmë që ne jemi më përpara, ca gjëra duhet t’i pranojë dhe Shqipëria, kështu që disa gjëra duhet të marrim nga ju dhe ju nga ne. Është një simbiozë e natyrshme”, përfundoi ambasadori Ukshini për A2 CNN.

Ju mund të pëlqeni dhe këto