Miratohet propozimi i Braçes, rrëzohet projekt ligji për tarifat doganore

Kuvendi ka vendosur të pranojë propozimin e deputetit Erion Braçe për mos të votuar në parlament nenin 1 të paketës fiskale për tarifat doganore, duke sjellë kështu rrëzimin e projekt/ligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për Miratimin e niveleve të tarifës doganore” të ndryshuar.

Maxhoranca në parlament vendosi të pranojë propozimin e deputetit socialist Erion Brace, sipas të cilit ky pr/ligj bie ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë.

“Bie në kundërshtim me ligjin për ratifikimin e MSA me kapitullin 3, sipas së cilës nuk vendosen detyrime të reja për importet ose eksportet për komunitetin europian. Kemi dy ndalime një nga MSA dhe një nga marrëveshjet me Organizatën Botërore të Tregtisë. Thënë këto po përsis edhe një herë propozimin të mos  miratohet neni 1, sepse bie ndesh me marrëveshjet ku jemi palë. Nuk kemi këllqet e SHBA, që diskuton nga e para tarifat. Ne jemi Shqipëria dhe kemi vendosur këtë nivel dhe marrëveshjet ku bëjmë pjesë e përcaktojnë qartë .” -u shpreh deputeti Erion Brace në seancë plenare. Në përfundim të fjalës së tij Ministri i Ekonomisë dha dakordësi me kolegun Brace.

Ndër të tjera Brace propozoi në seancë plenare që të zërohet tatimi për tregtinë e librave.Ai tha se vendi po vuan shitjen e librit, dhe se numri i librarive është shumë më pak se i atyre të lojërave të fatit.

Ju mund të pëlqeni dhe këto