Meta i kthen përgjigje Kuvendit: Duhej datë e re zgjedhjesh, ja pse

Ditën e sotme, presidenti Ilir Meta i ka kthyer përgjigje letrës që Kuvendi i drejtoi lidhur me dekretet për zgjedhjet.

Në përgjigjen e tij, Meta argumenton të gjitha arsyet përse duhej bërë shtyrja e zgjedhjeve dhe caktimi i 13 tetorit si ditë e re zgjedhjesh.

Reagimi i plotë:
Kuvendi i Shqipërisë dhe jo vetëm, është i mirëpritur të gjejë të gjithë informacionin për të cilin ka interes, përfshi edhe traditën institucionale të Presidentit të Republikës, takimet, aktet ligjore, deklaratat, veprimtaritë, vizitat, konsultat, qëndrimet e Kreut të Shtetit apo Institucionit të Presidentit të Republikës, të publikuara në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës http://president.al/. Ato janë publike dhe gjithkush mund t’i lexojë, të njihet e t’i përdorë ato.

Megjithatë është me rëndësi dhe shumë e nevojshme të rikujtojmë së bashku se data 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, është caktuar me Dekret nr. 10928, datë 05.11.2018, të Presidentit të Republikës, në kushtet e një klime normale politike në vend dhe pas zhvillimit të konsultimeve me përfaqësuesit e tre grupeve parlamentare një praktikë kjo e konsoliduar nga kryetarët e shtetit shqiptar ndër vite.

Ndërkohë që anulimi i datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe shtyrja e tyre për t’u zhvilluar ditë të djelë në datë 13 tetor 2019 është realizuar respektivisht me Dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e dekretit nr.10928, datë 05.11.2018” dhe Dekretin nr. 11211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, në kushtet e  një krize të rëndë politike, kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit, ku pas vlerësimit të situatës që po kalonte vendi, referuar dhe gjuhës së urrejtes së palëve politike dhe veprimeve të tyre dhe shprehjes së vullnetit të tyre për të mos eksploruar mundësitë e arritjes së një kompromisi politik, ekzistonte rreziku që Shqipëria të shkonte drejt një përshkallëzimi të paparashikueshëm të tensionit social, që mund të shkaktonte pasoja të pakontrollueshme me rrezik serioz për sigurinë publike, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen sociale në vend.

Pikërisht për këto e shumë arsye të tjera, Presidenti vlerësoi dhe vendosi se ishte e domosdoshme ndërhyrja e Kreut të Shtetit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve për të garantuar unitetin e popullit; për të mbrojtur vlerat dhe parimet demokratike të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; për të ulur tensionin social; për të garantuar rendin kushtetues dhe demokracinë në vend; dhe për t’u dhënë kohë palëve politike për dialog gjithëpërfshirës dhe zgjidhjen e krizës së rëndë politike, që bëjnë pjesë themelore të detyrave dhe rolit të Presidentit të Republikës në një Republikë Parlamentare, veçanërisht në kohë krize.

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Ju dhe unë kemi eksperiencë të gjatë politike dhe kemi përjetuar zhvillimet politikë në vend që  prej viteve 1990-të e deri aktualisht.

Është e nevojshme të risjellim në vëmendje se zhvillimi i proceseve zgjedhore në Republikën e Shqipërisë si për Kuvendin ashtu dhe për organet e qeverisjes vendore, kanë krijuar historikun e vet, ku nuk mungojnë aspak rastet e preçedentëve të mëparshëm të shtyrjes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, gjithmonë në varësi të rrethanave dhe për të përmbushur një qëllim të ligjshëm dhe për konsolidimin e demokracisë së brishtë shqiptare.

Precedenti i parë i shtyrjes së procesit zgjedhor në Shqipëri ka filluar pikërisht që në hapat e parë të ndryshimeve thelbësore të sistemit qeverisës në vitet 1990-1991, momenti i parë ky, që i hapi  rrugë demokracisë pluraliste dhe ekonomisë së tregut në vendin tonë.

–          Ish-Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor Ramiz Alia me Dekretin nr.7433, datë 01.12.1990 kishte përcaktuar se “Zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit Popullor për Legjislaturën e 12-të të bëhen më datën 10 shkurt 1991, ditën e diel”.  Ky dekret është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 8, datë 20.12.1990.

Ish-Presidenti Ramiz Alia, i cili ishte dhe udhëheqësi i fundit i sistemit komunist në Shqipëri, reflektoi me përgjegjësi të lartë shtetërore në koherencë me ndryshimet e mëdha politike që po ndodhnin në gjithë Europën Lindore dhe më datë 17.01.1991 ndërmori vendimarrjen për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara për tu mbajtur më datë 10 shkurt 1991, duke e shtyrë zhvillimin e tyre për tu mbajtur më datë 31 mars 1991. Kjo u pasua edhe me vendimmarrjen e tij me dekret nr.7468, datë 22.02.1991, për krijimin e Këshillit Presidencial një hap tjetër ky drejt hapjes së një rendi të ri dhe demokratik shoqëror.

Kjo vendimmarrje për shtyrjen e datës së zgjedhjeve u bë pikërisht për t’u dhënë mundësi forcave politike opozitare që ishin krijuar ndërkohë të merrnin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme edhe pse ato kërkonin ndryshimin dhe përmbysjen e lidershipit komunist në Shqipëri.

Këto zgjedhje të shtyra në kohë dhe të zhvilluara në datë 31 mars 1991, prodhuan dhe parlamentin e parë pluralist.

Ky akt i ndërmarrë nga ish-Presidenti Alia, aq më tepër duhet të rivlerësohet sot për përgjegjshmërinë e tij, pasi aktualisht vërehet një degradim i klasës drejtuese në vend në konceptimin e demokracisë, zgjedhjeve dhe pluralizmit politik që janë themelet e gjithë sistemit kushtetues e juridik në vend.

Rikthimi i konceptit të sundimit të shumicës dhe legjitimimi i këtij koncepti në diskursin publik të Kryeministrit apo dhe drejtuesve të tjerë në mazhorancë është i papranueshëm për një vend si i yni, që përjetoi izolimin më tragjik nga sistemi një partiak që në themel kishte sundimin e shumicës ndaj pakicës.

Dallimi themelor midis shtetit të shumicës dhe shtetit të së drejtës është se tek ky i fundit janë parësore garantimi i të drejtave të pakicave dhe opozitës në veçanti, si dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ku e drejta për të zgjedhur dhe jo për të votuar është jetike për demokracinë dhe shtetin ligjor.

Ndaj është e rëndësishme që të përkushtohemi të gjithë vetëm për sundimin e ligjit në vend dhe respektimin e shtetit të së drejtës.

Pikërisht keqkuptimi i rëndë dhe i papranueshëm në mos dallimin midis sundimit të shumicës dhe sundimit të ligjit, na ka sjellë këtu ku jemi sot, në krizën edhe më të thellë kushtetuese, institucionale, dhe të përfaqësimit në vend.

–          Një tjetër rast i shtyrjes së zgjedhjeve evidentohet në vitin 2006, ku Presidenti i Republikës me Dekret nr.5131, datë 02.12.2006, vendosi që zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të zhvilloheshin ditën e shtunë datë 20 janar 2007.

Për shkak të pretendimeve të forcave politike dhe vlerësimit të pamundësisë së zhvillimit të këtyre zgjedhjeve në datën e caktuar (20 janar 2007) që lindi nga një konflikt politik i cili u zgjidh me një marrëveshje të vonuar më 12 janar 2007, Presidenti i Republikës miratoi sërish një akt të ri Dekretin nr. 5194, datë 14.01.2007, nëpërmjet të cilit vendosi që:

“Dekreti nr.5131, datë 02.12.2006 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, shfuqizohet dhe zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvillohen ditën e dielë më datë 18 shkurt 2007”.

–          Ndërkohë në vitin 2017 pikërisht përpara dy vjetësh, Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr. 24, datë 23.03.2017, vendosi: “Rrëzimin e kërkesës së z. Elvis Roshi, ish-Kryetar i bashkisë Kavajë” i shkarkuar nga Këshilli i Ministrave për shkak të ndërprerjes së mandatit të tij në zbatim të ligjit për dekriminalizimin. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese iu njoftua Presidentit të Republikës, me shkresë nr.4 akti, datë 23.03.2017. 

Presidenti i Republikës, me Dekretin nr. 10098, datë 24.03.2017, vendosi: “Caktimin e datës 7 maj 2017, si ditë për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar të bashkisë Kavajë”.

Për shkak të krizës politike të vitit 2017 opozita nuk u regjistrua si pjesëmarrëse në këto zgjedhje e po ashtu edhe dy kandidatët e regjistruar u tërhoqën nga kandidimi.

Më datë 20 maj 2017, z. Edi Rama, Kryetar i mazhorancës dhe z. Lulzim Basha, Kryetar i opozitës, i’u drejtuan me një letër Presidentit të Republikës, duke e njoftuar atë se më datë 18 maj 2017, ata kishin arritur një marrëveshje politike që mundëson përfshirjen e opozitës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, si dhe në zgjedhjet e pjesshme vendore për Kryetar të bashkisë Kavajë. 

Sipas tyre, pjesë e marrëveshjes politike mes mazhorancës dhe opozitës është edhe kërkesa drejtuar Presidentit për ndryshimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare për garantimin e pjesëmarjes së opozitës në to.

Në këto kushte, Presidenti i Republikës me Dekret të Presidentit të Republikës nr. 10352, datë 21.05.2017, vendosi që data e zhvillimit të zgjedhjeve për këtë njësi të qeverisjes vendore, të shtyhej dhe të caktoheshin për t’u zhvilluar në datë 25 qershor 2017, datë kjo e cila përkonte me të njëjtën ditë me datën për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo datë e re, pra data 25 qershor 2017, ishte një datë përtej afateve të parashikuara në pikën 3 të nenit 10 të Kodin Zgjedhor, të cilat përcaktonin se zgjedhjet duhej të zhvilloheshin maksimalisht në një afat ligjor që përkonte më datën 7 maj 2017.

– Ndërkohë me Dekretin nr. 9883, datë 05.12.2016, Presidenti i Republikës, caktoi datën 18 qershor 2017, si ditë për zhvillim e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për shkak të krizës politike të vitit 2017 dhe mospjesëmarrjes dhe regjistrimit të opozitës në këtë process zgjedhor, realizimi i zgjedhjeve në datën 18 qershor 2017, bëhej i pamundur.

Në këtë mënyrë, pasi palët politike dialoguan dhe dakordësuan një mirëkuptim të shprehur
me shkrim, Presidenti i Republikës, nxori Dekretin nr. 10 351, datë 21.05.2017, nëpërmjet të cilit neni 1, i dekretit nr.9883, dt.05.12.2016 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin”, u ndryshua dhe u caktua se zgjedhjet për Kuvendin të shtyhen dhe të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 qershor 2017.

Si konkluzion, i shqyrtimit të këtyre preçedentëve të mëparshëm ndër vite, shtyrjet e proceseve zgjedhore të përgjithshme apo vendore në Republikën e Shqipërisë, janë diktuar si pasojë e rrethanave të veçanta politike, të klimës së mosbesimit midis palëve, konfliktit politik, dhe situatave të tensionuara sociale, që në të gjitha rastet kanë bërë të domodoshëm ndërhyrjen e autoritetit të vetëm kushtetues që është Presidenti i Republikës, për të nxjerrë një Dekret të ri, për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Ndërkohë në kushtet aktuale mungesa e marrëveshjes politike midis palëve nuk mund të kufizonte kompetencat e Presidentit të Republikës që me autoritetin dhe me kompetencat e tij ekskluzive kushtetuese, të ndërhynte për të caktuar një datë të re zgjedhjesh për pushtetin vendor, duke garantuar kështu që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë të votojnë në mënyrë të ndershme, të fshehtë, të lirë dhe demokratike, në një situatë të qetë dhe jo konfiktuale dhe jashtë çdo rreziku të mundshëm të konfliktit social.

Në një situatë normale tejkalimi i krizës me marrëveshje do të pasonte edhe me ndryshime të mundshme në Kodin Zgjedhor, por në një situatë krize ku shumica parlamentare zotërohet nga Partia Socialiste, e cila nëpërmjet lidershipit të saj jo vetëm që nuk shfaqi asnjë shenjë për zgjidhjen e krizës, por përkundrazi u tregua agresive ndaj opozitës, por dhe ndaj Presidentit të Republikës për shkak se ndërmori një nismë për zgjidhjen e krizës, e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen e Kreut të Shtetit për të krijuar një mundësi kohore për zgjidhjen e kësaj situate paradoksale dhe për më tepër të patrajtueshme me ligj sipas Kodit Zgjedhor.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i rikujton Kuvendit të Shqipërisë se dekreti nr. 11199, datë 10.06.2019 për “Shfuqizimin e dekretit të Presidentit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke anuluar kështu datën 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, është një akt i ndërmarrë dhe i mbështetur tërësisht në dispozitat e Kushtetutës; i bazuar plotësisht në argumente kushtetues dhe në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe demokracisë në vend.

Konkretisht ky akt i rëndësishëm i Kreut të Shtetit, synonte ndërprerjen e një procesi zgjedhor fiktiv dhe në kundërshtim me parimet demokratike, i transformuar praktikisht në një proces votimi, pa garë dhe pa alternativa, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenin 3 të Protokollit nr. 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe detyrimet që Shqipëria ka marrë përsipër me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian, me hyrjen në fuqi më 29 gusht 2006.

Dekreti i Presidentit nr.11199, datë 10.06.2019, për anulimin e datës së zgjedhjeve në 30 qershor dhe dekreti nr. 11211, datë 27.06.2019 për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, janë marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën dhe parimet themelore të mbrojtura prej saj.

Referuar dispozitave kushtetuese, mbi të cilat është bazuar nxjerrja e dekreteve të Presidentit të Republikës, veprimtarisë tërësisht kushtetuese të Kreut të Shtetit, parimeve kushtetuese, të drejtave dhe lirive themelore për mbrojtjen e të cilave këto akte janë nxjerrë, marrëdhënieve juridiko-shoqërore që këto akte rregullojnë, si dhe referuar argumenteve tërësisht kushtetuese mbi bazën e të cilave këto akte janë marrë, i bëjnë ato (dekretet), akte me natyrë krejtësisht të veçantë juridiko-kushtetuese dhe si të tilla, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nuk mundet të shqyrtojë vlefshmërinë dhe kushtetutshmërinë e tyre.

Edhe Ambasadorja Audrey Glover, drejtuese e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në Zgjedhjet Vendore 2019, në raportin e gjetjeve paraprake të publikuar prej saj në datë 1 korrik 2019, evidentoi se:

“…. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para (Gjykata Kushtetuese) është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit”.

Dekretet e mësipërme të Presidentit si akte të rëndësishme me natyrë kushtetuese, janë marrë gjithashtu në respekt edhe të detyrimeve të Republikës së Shqipërisë që burojnë nga aderimi i saj në aktet ndërkombëtare dhe angazhimi në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Dekretet për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore,  dhe për caktimin e datës 13 tetor 2019 si ditë e zhvillimit të  tyre, deri në ditën e sotme, nuk janë kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jopolitik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor, si dhe nuk janë ndryshuar, nuk janë anuluar dhe nuk janë shfuqizuar nga asnjë gjykatë tjetër në Republikën e Shqipërisë e as nga Kolegji Zgjedhor.

Për këto arsye, në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, këto akte janë në fuqi dhe të detyrueshëm për zbatim nga të gjithë, përfshi këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë.

Për pasojë, i gjithë procesi i votimeve i zhvilluar në datën 30 qershor 2019, është një proces antikushtetues, fiktiv dhe jo demokratik, që nuk krijon asnjë pasojë juridike, pasi veç të tjerave, data 30 qershor 2019 nuk ekziston ligjërisht si një datë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.

Vlerësimet e Presidentit të Republikës, përkuan edhe me qëndrimin e qartë të raportit paraprak të datës 1 korrik 2019 të misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it nën drejtimin e Ambasadores Audrey Glover, si dhe me vendimin refuzues të Kongresit të Autoriteteve Vendore të Këshillit të Europës për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Ndërkohë Rezoluta e datës 13 qershor 2019 e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe inicimi i një procesi për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, në fakt kanë ofruar mbështetjen e Kuvendit ndaj KQZ-së për të realizuar një proces antikushtetues votimesh, duke zgjedhur kështu një rrugë të gabuar, që nuk ndihmon aspak në zgjidhjen e krizës politike dhe situatën e rëndë të krijuar, veçanërisht pas realizimit të votimeve partiake më 30 qershor 2019.

I gjithë ky proces i nisur nga Kuvendi është fiktiv, i palegjitimuar, i gabuar dhe për më tepër, pa asnjë objekt konkret të veprimtarisë së tij.

Presidenti i Republikës është i bindur se interpretimi përfundimtar i dispozitave Kushtetuese apo i rolit të Presidentit në kohë krizash të rënda politike që lidhen me proceset zgjedhore, pikërisht siç dhe vendi ynë po kalon prej një kohe të gjatë, nuk mund të realizohet kurrsesi nëpërmjet komisioneve hetimore të ngritura nga Kuvendi, por vetëm nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e cila prej gati një viti e gjysëm (17 muajsh) nuk është funksionale.

Nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale përgjatë vitit 2018 e në vijim, atëherë çdo palë do të kishte mundësinë t’i drejtohej kësaj gjykate dhe kjo e fundit do të shprehej mbi çdo pretendim të mundshëm të natyrës kushtetuese.

Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shprehet për dekretet e Presidentit dhe përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën. 

Dua t’ju theksoj personalisht Ju, por dhe Kuvendit të Shqipërisë, se cilido qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai do të ketë vlerë vetëm për të ardhmen dhe mund të ndikojë për sjelljen e Presidentit në situata të ngjashme, por kurrsesi ky vendim nuk mund të ketë efekt prapaveprues për të legjitimuar procesin e votimeve joshtetërore, vetëm me një konkurrent tashmë siç është realizuar më 30 qershor 2019, kjo sepse Dekreti i Presidentit të Republikës nr.11199, datë 10.06.2019 për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor dhe Dekreti nr. 11211, datë 27.06.2019 për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, janë në fuqi dhe tashmë 30 qershori si datë kalendarike për zgjedhje, është djegur të paktën për këtë vit.

Gjithashtu nëse do të kishim patur në vijimësi një Gjykatë Kushtetuese funksionale, ajo do të mund të shqyrtonte disa prej ligjeve të miratuara nga Kuvendi, të cilët në vlerësim të Presidentit të Republikës janë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe cenojnë rëndë interesin publik në vend.

Presidenti i Republikës, ndërmjet këtyre ligjeve, vlerëson t’ju shprehë ju si Kryetar i Kuvendit se është shumë e nevojshme të verifikohet dhe të hetohet se si u propozua apo si u formalizua vullneti i qeverisë dhe i organeve të Kuvendit në miratimin e ligjit nr. 94/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar (Dividentin).

Në kundërshtim flagrant me nenin 155 të Kushtetutës, i cili ndalon trajtimin e lehtësuar fiskal preferencial me efekt prapaveprues, Kuvendi miratoi ligjin nr. 94/2018, duke i dhënë fuqi prapavepruese lehtësimit fiskal mbi dividentin e pashpërndarë për kategori të caktuara subjektesh dhe me efekt prapraveprues të pakufizuar në kohë.

Konkretisht me ligjin nr.94/2018, Kuvendi përcaktoi se norma e tatimit mbi dividendin do të reduktohej nga 15 % në shkallën 8 %, dhe kjo shkallë tatimi do aplikohet jo vetëm për të ardhmen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, pa kufizim kohor, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara.

Pikërisht efekti prapaveprues i këtij ligji bie ndesh me nenin 155 të Kushtetutës, ku citohet shprehimisht se:

“Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligjNë këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”.

Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11015, datë 20.12.2018, konstatoi antikushtetshmërinë e këtij ligji dhe e riktheu ligjin për rishqyrtim, me qëllim që Kuvendi të përmirësonte dispozitat e tij ku përfitues real sipas këtij ligji të ishin qytetarët shqiptarë, pa diferencime dhe me trajtim të barabartë, në respekt të parashikimeve kushtetuese dhe pa cenuar buxhetin e shtetit.

Presidenti i Republikës konstatoi se ky ligj, veçanërisht neni 9 i tij, favorizon shtresa të caktuara të biznesit në mënyrë flagrante antikushtetuese; binte në kundërshtim me parimin kushtetues të “barazisë përpara ligjit”; krijonte pasiguri të theksuar juridike për aplikimin e tij në praktikë; kishte efekt prapaveprues, në trajtën e një “amnistie fiskale” abuzive; krijonte pabarazi fiskale mes bizneseve dhe një shteg të madh për abuzim duke përmbysur sistemin dhe barazinë fiskale.

Kuvendi e rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës, në mënyrë të menjëhershme dhe të pashpjegueshme brenda së njëjtës ditë 20.12.2018. Ndërkohë që Kuvendi po zhvillonte seancën plenare në orën 18.00, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave shqyrtoi në mënyrë të fshehtë Dekretin e Presidentit, pa praninë e opozitës vetëm me pjesëmarrjen e Ministrit të Financave dhe pa thirrur për të qenë të pranishëm përfaqësuesit e institucionit të Presidentit të Republikës për të dhënë më parë shpjegimet institucionale sipas praktikës solide të deritanishme parlamentare. Në kundërshtim me rregullat dhe brenda së njëjtës ditë po më datë 20.12.2018, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave në mënyrë urgjente ia përcolli seancës plenare, e cila e përfshiu menjëherë në rendin e ditës, duke votuar Vendimin nr.125, datë 20.12.2018 për “Rrëzimin e Dekretit nr.11015, datë 20.12.2018”.

Është e pashpjegueshme mënyra e shqyrtimit të këtij ligji dhe i Dekretit të Presidentit në kushte të tilla dhe sidomos kur bëhet fjalë për një ligj për të cilin Presidenti ka ngritur pretendimin se ai është antikushtetues, sjell trajtim selektiv dhe diskriminues të subjekteve në treg dhe humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.

Presidenti i Republikës vlerëson se, në historinë e pluralizmit politik të Shqipërisë, kjo sjellje e Kuvendit është rasti më flagrant i shkeljes, jo vetëm të procedurës dhe Rregullores së Parlamentit, të miratuar me konsensus, por edhe shfaqje e hapur e një arrogance të rrezikshme dhe shprehje e pakundërshtueshme e një krize të thellë parlamentare, kushtetuese, institucionale dhe ndërinstitucionale.

Jam i sigurt që kjo ka ndodhur pa dijeninë Tuaj, dhe për këtë kërkoj investimin tuaj si Kryetar i Kuvendit për verifikimin dhe rikthimin e normalitetit në veprimtarinë parlamentare dhe në strukturat e saj.

Pamundësia e shqyrtimit në kohën e duhur në Gjykatën Kushtetuese të këtij ligji, bën të pamundur pezullimin e ekzekutimit të këtij ligji deri në këto momente e kjo gjendje duket se do të vijojë derisa kjo gjykatë të bëhet funksionale për të marrë vendime të kësaj natyre. Pra në këtë mënyrë edhe sikur Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim më vonë, bëhet i pamundur rikthimi i plotë i pasojave negative financiare që zbatimi i këtij ka sjellë tashmë në praktikë për buxhetin e shtetit dhe qytetarëve tanë.

Kjo ka qenë në vijimësi të përpjekjes së Kryeministrit për të nxjerr nga kontrolli kushtetues qeverinë dhe Kuvendin, por edhe për të garantuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes presionit të procesit vetting, i cili realizohet nëpërmjet informacionit që sigurohet nga instrumente dhe institucione nën kontrollin e qeverisë dhe të shumicës aktuale.

Dua t’ju kujtoj përgjegjësinë e Kuvendit dhe sidomos të disa përfaqësueve të mazhorancës për bllokimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për 2 (dy vite) radhazi (2017-2018) dhe mosreagimin ndaj përpjekjes sime si President për realizimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, për të bërë të mundur mirëfunsionimin e KED-së, ndryshime këto të cilat u miratuan nga Kuvendi vetëm më datë 18.07.2019 dhe dy ditë më parë në datë 30.07.2019 u dekretuan me shpallje edhe nga unë si President i Republikës.

Askush nuk duhet të harrojë se mbi Gjykatën Kushtetuese janë dhe Gjykatat Europiane dhe Ndërkombëtare të cilat kanë juridiksion vendimarrës mbi vendin tonë.

Ndaj çdo akt i nxituar me qëllim afatshkurtër shantazhi, kapjeje, apo mllef-nxjerrjeje do të ketë pashmangshmërisht mundësinë e afërme për një gjykim objektiv dhe të pavarur ndërkombëtar në mënyrë të pashmangshme.

Shpreh vlerësimin tim se këtij Kuvendi i mjaftojnë rekordet e deritanishme problematike në raport me Kushtetutën dhe nuk i duhen tejkalime të tjera që do të mbyllnin rrugën europiane të vendit tonë për një kohë të pacaktuar.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës i qëndron bindjes se e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, rikthimit të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe rivendosjen e tij në shinat kushtetuese mbetet vetëm dialogu i sinqertë politik, respektimi i ligjit nga të gjithë, duke organizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike në datën 13 tetor 2019, në respekt të dekretit nr. 11211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Presidenti i Republikës, duke i ftuar të gjithë të largohen nga rruga e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit, është i bindur se 13 tetori është jo vetëm një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, por edhe një provë e qartë e vullnetit politik për të ardhmen europiane të Shqipërisë, përpara se Këshilli i Bashkimit Europian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit, më 17-18 tetor 2019.

Është koha për t’u rikthyer të gjithë qytetarëve të Shqipërisë sovranitetin, ndaj për këtë, duhet të angazhohen të gjithë në mënyrë të sinqertë dhe larg qëllimeve politike afatshkurtra.

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Për 45 vite vendi ynë përjetoi një regjim të sundimit të shumicës të pashembullt në kontinentin tonë dhe të krahasueshëm vetëm me atë të Koresë së Veriut.

Nuk është mirë që sot, kur bota mezi pret që edhe Korea e Veriut të hapet e të ndryshojë, përfaqësues të shumicës parlamentare këtu në Shqipëri të hyjnizojnë regjimin e sundimit të shumicës dhe të bëjnë çdo përpjekje për asgjesimin e opozitës reale dhe demokratike në vend dhe të synojnë dhe kapjen e të vetmit institucion të pavarur siç është aktualisht Institucioni i Presidentit të Republikës.

Ju e dini si askush tjetër se sa kundër djegies të mandateve ka qenë dhe është Presidenti i Republikës. Një veprim i pajustifikueshëm i opozitës, i cili ka sjellë vërtet një precedent mjaft negativ.

Nuk hezitoj t’ju kërkoj që të ndihmoni Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish-komuniste atë të asgjësimit të Partisë Demokratike, jo vetëm si forca kryesore opozitare sot, por edhe si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë.

Duke mirëkuptuar edhe pozitën ku ju ndodheni për shkak të detyrës shumë të lartë që përfaqësoni, dhe situatës jo më të mirë dhe përfaqësuese në të cilën gjendet sot Institucioni më i rëndësishëm i vendit për shkak të përgjegjësisë të të gjithë aktorëve politikë në vend, vazhdoj të shpresoj se me përvojën Tuaj të veçantë në jetën parlamentare, do të bëni përpjekjet më të mira për rivendosjen e dialogut politik dhe rikthimin në normalitet të të gjitha intitucioneve demokratike.

Në kushtet aktuale, Kuvendi i Shqipërisë e ka kaq të nevojshme përvojën dhe largpamësinë për zgjidhje të mençura dhe kontribuese, që t’i shërbejnë çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian në 18 tetorin që po afron dhe në këtë mënyrë çdo ditë ai duhet të mendojë dhe veprojë në interes të të gjithë shqiptarëve dhe aspiratës mbarëkombëtare për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Besoj se ju me përvojën Tuaj do ta ndihmoni Kuvendin të rikthehet në normalitet.

Së fundmi, Presidenti i Republikës garanton Kuvendin e Shqipërisë se është në detyrë, i gatshëm, bashkëpunues dhe me vetëdije të plotë, për të ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme në interesin më të mirë të vendit, në përputhje me kompetencat që i jep Kushtetuta dhe me betimin e tij solemn për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar.  

Ju mund të pëlqeni dhe këto