Merret vendimi/ Albin Kurti i ul pagën vetes dhe ministrave të qeverisë së tij

Qeveria e Kosovës ka miratuar shfuqizimin e vendimit për rritjen e pagave që e kishte marrë Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në dhjetor të 2017-s.

“Pagat kthehen me rregullimin e mëhershëm. Ky vendim nuk ka efekt në Gjykatën Kushtetuese e as në sistemin juridik”, ka thënë Kurti.

“Janë shfuqizuar të gjitha vendimet për emërimet e koordinatorëve nacional. Ky vendim hyn në fuqi nga data e nënshkrimit dhe ftoj ministrinë e Financave dhe Transfertave”.

Në vendimin e 20 dhjetorit 2017, Qeveria Haradinaj kishte vendosur për rritje të pagave për 100 për qind. Kryeministrit Haradinaj nga 1500 euro paga i ishte bërë 2950 euro.

Sipas Ligjit për Gjykatat paga e kryeministrit dhe e zyrtarëve të tjerë në kabinetin qeveritar është ekuivalente me pagat në sektorin e drejtësisë. Kjo kishte bërë që pagat, pos Haradinajt dhe kabinetit të tij, ishin rritur edhe në këtë sektor. Më vonë ishte votuar Ligji për paga që parashihte rregullimin edhe të pagave të kabinetit qeveritar.

Ligji për pagat parashihte zvogëlimin e pagave edhe për kryeministrin, por ky ligj është pezulluar deri në mars pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

E, lidhur me vendimin e kryeministrit Kurti për uljen e pagës ka reaguar biznesmeni i njohur, Burim Pirraj. Ai ka thënë se e konsideron gabim të madh uljen e pagave nga kryeministri Kurti.  Sipas tij, nuk ka logjikë që një kryetar shteti e një kryeministër të ketë pagën më të vogël se 5 mijë euro.

“E konsideroj gabim shumë të madh uljen e pagave nga kryeministri! Pagat e vogla, abuzimet e mëdha! Nuk ka logjikë një kryetar shteti e një kryeministër të ketë pagë më të vogël se 5000 EURO! Të parët e shtetit! Nuk është shaka! Ata duhet të jenë më të paguarit dhe duhet të jenë më të përgjegjshmit në çdo aspek”.

Haradinaj ia kalonte me pagë edhe  Thaçit e Veselit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me vendim që kishte marrë në vitin 2017 ia kishte dyfishuar vetes pagën dhe pesë zëvendëskryeministrave të vet, duke ia kaluar me pagë bruto edhe presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Në këtë rritje pagash qeveritare ishin përfshirë edhe ministrat e zëvendësministrat që janë rreth 70.

Paga e Haradinajt deri më tani ka qenë rreth 1 mijë e 500 euro, ndërsa me vendimin e ri kjo pagë bruto ngrihet për 100 për qind dhe është 2950 euro në muaj.

Sipas të dhënave të deklarimit të pasurisë, një herë më të madhe e kanë pagën Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit.

Hashim Thaçi paguhet 2 mijë e 663 euro, kurse Kadri Veseli 2 mijë e 753 euro. Këshilltarët e Thaçit dhe Veselit në fakt kanë gjithashtu pagë jashtëzakonisht të lartë. Ata paguhen me pagë deri në 1 mijë e 700 euro me shtesa mbi atë bazë.

Derisa në Kosovë, paga mesatare është rreth 360 euro. Qeveria, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, është kritikuar edhe për numrin e lartë të zëvendësministrave në kabinetin e tij./Monitor.al/.

Ju mund të pëlqeni dhe këto