Kriza politike/ Arian Çani: “Luftë për pushtet, shqiptarët nuk do ngrihen për votën e lirë”

Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Provokacija” ka qenë i ftuar gazetari Arian Çani, i cili teksa po fliste për situatën politike në vend, është shprehur se nuk do të ketë një zgjidhje.

 “Nuk ka zgjidhje. Mendimi im është që nuk do ketë zgjidhje asnjëherë. Mirë është që ne që të paktën kemi një foltore, një mundësi nga një ekran i caktuar siç është Klan apo ABC-ja mirë është që aq sa mundemi, me aq sa na dëgjojnë ata që na kanë xhan, apo që na kanë inat, mos t’i bëjmë kot të ëndërrojmë.  Nuk do ketë zgjidhje. Kjo nuk është pesimiste ta thuash”, u shpreh Çani, ndërsa ka theksuar se në këtë situatë bëhet fjalë për një luftë për pushtet, ku dikush do të humbasi.

 “Sepse nuk jemi në një vend me demokraci të konsoliduar. Jemi në një vend hibrid.  Në një vend që nuk është as diktaturë, por nuk është as demokraci. Deri në momentin, kur ne jemi dakord që zgjedhje në këtë vend nuk janë bërë kurrë të rregullta, gjithmonë tjetri paragjykohet thotë që “i ke vjedhur” i ke vjedhur”, çdo bisedë tjetër pas këtij momenti është e kotë.  Pra si të thuash duhet ta heqim këtë lloj hipokrizie. Ne jemi një vend ku zgjedhjet dhe vota nuk respektohet.  Ndërkohë që vota respektohet shumë mirë në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi.  Vetëm tek ne vazhdon të ndodhë që fituesi të paragjykohet dhe me të drejtë sepse faktet, interpretimi i tyre, janë të mjaftueshme që të na bëjnë të besojmë se nuk ka palë të drejta dhe palë të gabuara.  Është luftë për pushtet dhe unë them që kjo luftë do të vazhdojë dhe patjetër që dikush do humbasë nga kjo luftë. S’mund të vazhdohet me këtë histori  që të bëhet luftë dhe të gjitha palët të dalin të fituara”, tha Arian Çani.

Gjithashtu, Çani u shpreh se nuk beson që shqiptarët do të bëjnë përplasje civile për votën e lirë.

 ‘”Ti mendon që jeton mes banorëve të cilët janë kaq të ndjeshëm dhe kaq koshientë për votën e blerë sa të ngrihen dhe të venë jetën e tyre në rrezik? Ti mendon se jeton me banorë të tillë? Kam përshtypjen se ke një imazh pak më të bukur seç duhet për banorët që të rrethojnë Muçi. Nuk mendoj se janë kaq njerëz të rafinuar. Janë më bazikë shqiptarët. Domethënë nuk mendoj se do ngrihen ndonjëherë të bëjnë revolucion apo të bëjnë përplasje civile për votën e lirë. Është luks i madh apo jo?”, u shpreh ai.

Ju mund të pëlqeni dhe këto