“Koka e korrupsionit nuk janë politikanët”, Rama bën deklaratën e fortë

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në konferencën bashkë me ndërkombëtarët për të prezantuar raportet e Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO) për Shqipërinë.

Sipas Ramës, koka më e madhe e korrupsionit në 30 vitet e fundit në Shqipëri nuk kanë qenë politikanët, por gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që nuk kanë dhënë drejtësi.

“Nuk do të ketë goditje të korrupsionit në nivele të larta nëse nuk do të ketë gotitje të korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë.

Kjo është premisë e cila SPAK-un do ta bëjë institucionin që të gjithë kemi shpresuar dhe mbi të gjitha shqiptarët kanë shpresuar. Përndryshe SPAK-u do të jetë zhgënjimi më i madh ndaj shqiptarëve tek reforma në Drejtësi. SPAK-u ka misionin të pastrojë deri në fund, ata që vetting i pastron thjesht dhe vetëm nga sistemi.

Tema këtu dhe beteja këtu është beteja për ta filluar tamam nga koka dhe koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët. Nuk kanë qenë politikanët pavarësisht se kanë qenë pjesë. Koka kanë qenë korporata e këtyre gjykatësve dhe prokurorët që kanë krijuar pandëshkueshmërinë në sistem.

Po të mos kishin qenë këta nuk do kishin qenë as korrupsioni spektakolar dhe nganjëherë dhe vrastar i politikanëve dhe nëse nuk vendoset në themel të sistemit të drejtësisë kurbani i korrupsionit 30-vjeçar që është fiks tek korporata që vetting po e shpërbën por nuk mjafton atëherë ngrehina nuk do qëndrojë dhe historia do përsëritet keq.

Unë kam besim që nuk ka asnjë rrugë tjetër dhe që do të ndodhë kështu por ajo që është e rëndësishme që kështu të ndodhë më herët se sa vonë. Shqiptarët janë investuar tek vetting me gjithë shpresat e tyre. Sot kanë një zhgënjim sepse mendoj nuk e kanë kuptuar deri në fund që vetting pastron sistemin por nuk bën ndëshkimin e atyre që pastron. këtë duhet ta bëjë sistemi. për këtë është SPAK, BKH, institucionet e reja.

Sloganet, parullat, rekomandimet me luftëra që gjithmonë e hedhin llafin tek politikanët duhet të mbarojnë. Asnjë shoqëri nuk përfiton nga diskriminimi në bllok i përfaqësuesve të vet. Duhet të ndahen gjërat nga drejtësia”, tha Rama.

 

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto