“Kjo ngjarje po përdoret politikisht”, Lleshaj flet pas operacionit të shpëtimit të Alvin Berishës

Ditën e sotme, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka qenë në Romë, ku ka folur për operacionin e shpëtimit dhe largimit të Alvin Berishës nga Siria.

Në fjalën e tij, Lleshaj ka falenderuar të gjithë që kanë ndihmuar në këtë operacion, duke thënë se kryeministri italian Giussepe Conte dhe Edi Rama e ndoqën nga afër këtë operacion.

Lleshaj ka thënë më tej se kjo ngjarje po përdoret politikisht. Po ashtu, ai tha se terrorizmi dhe ekstremizmi s’kanë vend në shoqërinë tonë.

“Gjithçka erdhi pas takimit të dy kryeministrave Conte e Rama në Romë, operacioni u ndoq nga ata të dy drejtpërdrejt. Aspekti diplomatik përfshiu dy ambasadat në Romë dhe ambasadën italiane në Bejrut. Ka pasur një aspekt të rëndësishëm policor ku janë angazhuar policitë e dy vendeve dhe së fundmi por jo nga rëndësia ka qenë aspekti humanitar ku janë angazhuar Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e kuqe. Nuk dua të hyj në detaje të operacionit por kam ardhur për të shprehur mirënjohjen e qeverisë shqiptarë për të gjithë aktorët e përfshirë. Së pari, për autoritetet policore të Italisë e Shqipërisë, për presidentin e Kryqit të Kuq italian e Ndërkombëtar dhe presidentit të Gjysmëhënës së Kuqe Siriane. Po ashtu dua të përshëndes autoritetet diplomatike që u përfshinë në këtë operacion. Ishin autoritetet libaneze që mbështetën me gjithë kapacitetet e tyre operacionin në terren. Rasti ka marrë një vëmendje të madhe dhe natyrisht lind pyetja nëse po përdoret politikisht. Dhe unë them po! Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme që duhet të vlejnë si eksperiencë pas këtij operacioni. Alvin Berisha është një nga ato rastet që duhet të na tregojë se terrorizmi, ekstremizmi nuk duhet të ketë vend në shoqëritë tona”, deklaroi Lleshaj.

“Edhe një herë faleminderit, për mbështetjen e jashtëzakonshme që mundësohet që një djalë i ri shqiptar dhe italian të kthehet i lirë për të vazhduar jetën në liri”, theksoi ministri i Brendshëm shqiptar.

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto