Jetojnë me qira në Tiranë, Kuvendi 7.5 milionë lekë në muaj për shtëpitë e këtyre 21 deputetëve

Disa ditë më parë, nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi, kërkoi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që të miratohet një vendim për t’iu dhënë kredi pa interes deputetëve të rinj që të blejnë shtëpi në Tiranë.

Kërkesë të cilën kryetari i Kuvendit e adresoi te Bashkia e Tiranës, e cila sipas tij duhet t’i trajtojë ata me programet sociale, ndonëse personalisht marrin rroga, dieta e trajtime të tjera financiare, që i kalojnë 2 milionë lekë të vjetra në muaj. Por deri sa kjo kërkesë të trajtohet nga Bashkia e Tiranës, Kuvendi ka vendosur që një pjesë të mirë të tyre t’i trajtojë me bonus qiraje.

Kuvendi ka publikuar pagat dhe përfitimet e tjera financiare të deputetëve, ku ajo që bie në sy është shtimi i numrit të deputetëve që trajtohen me kuotë për pagesën e qirasë së shtëpisë. Në total sipas raportit të shpenzimeve të Kuvendit për muajt gusht dhe shtator vetëm për zërin “qira për shtëpi”, Kuvendi ka paguar nga buxheti plotë 14 milionë lekë të vjetra, çka do të thotë që për 1 muaj ka paguar 7.5 milionë.

Kjo pagesë është bërë për plot 21 deputetë, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë një shtëpi në Tiranë dhe se për të ndjekur aktivitetin parlamentar duhet të qëndrojnë në shtëpi me qira. Shumica e deputetëve që marrin një trajtim të tillë financiar janë nga opozita e re, ndërsa nuk mungojnë edhe disa emra nga mazhoranca.

Ndërkohë që ajo që vihet re nga raportet e shpenzimeve financiare të deputetëve për muajit gusht dhe shtator është një rënie e vlerës totale që harxhon ky institucion për pagat, shpërblimet, dietat dhe shpenzimet e tjera për deputetët. Kjo ka ardhur për shkak të numrit të më të paktë të deputetëve që janë aktualisht në Kuvend në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Aktualisht Kuvendi trajton me pagë vetëm 113 deputetë, kjo pasi disa vende në Kuvend mbetëm pa u plotësuar, ndërsa një pjesë tjetër e deputetëve janë dhe ministra dhe si të tillë paguhen nga ministritë përkatëse.

Më konkretisht, në gusht të vitit 2018 Kuvendi ka paguar për vetëm për paga 210 milionë lekë të vjetra, ndërsa në gusht të këtij viti për shkak të numrit më të paktë të deputetëve Kuvendi ka harxhuar vetëm 180 milionë lekë të vjetra. Pra, si rrjedhojë e largimit të deputetëve të opozitës reale, Kuvendi paguan sot rreth 30 milionë lekë më pak për paga. Kursimi është edhe më i madh po të kemi parasysh se paga përbën vetëm gjysmën e të ardhurave për një deputet.

Kjo, pasi një e ardhur që në disa raste e kalon edhe pagën janë përfitimet që merr një deputet nga karburanti, telefonoi, dietat, honorarët, pagesa e qirasë, hoteli etj.. Sipas raportit të përfitimeve të tjera, një deputet arrin të marrë deri në 2.5 milionë lekë të vjetra të ardhura vetëm nga karburanti, telefoni, qiratë, dietat apo edhe honorarët. Sa u përket lekëve të karburantit, shuma që jepet për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit varet nga largësia e zonës elektorale nga Tirana. Kështu, deputetët e qarqeve, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Dibër dhe Kukës marrin më shumë lekë se kolegët e tyre të qarqeve të tjera.

Ruçi, 220 milionë lekë shpërblim ish-deputetëve të opozitës

Dy partitë kryesore opozitare, PD dhe LSI dhe aleatët e tyre rreth 8 muaj më parë vendosën të lënë Kuvendin dhe të dalin në rrugë për të protestuar kundër qeverisë. Kështu, deputetët e këtyre forcave lanë mandatet e deputetit, për t’iu kushtuar betejës politike bashkë me qytetarët në protesta. Kjo shkaktoi një kaos në jetën parlamentare shqiptare, duke krijuar një precedent që nuk ka ndodhur as në vende të tjera të Europës. Gjithsesi, duket se kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka vendosur që të tregohet “zemërmirë” me ta, duke u shlyer detyrimet financiare që lindin nga ligji dhe statusi i deputetit.

Në dokumentin e publikuar nga Kuvendi mbi raportin financiar për 8 muajt e parë, raportohen ndër të tjera edhe pagesën e rreth 220 milionë lekëve të vjetër për pagesa ndaj deputetëve të opozitës të larguar. “Gjatë 8-mujorit, me kërkesë të Kuvendit dhe miratim të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në zbatim të ligjit nr.9061, date 8.5.2003 ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8097, datë 21.3.1996 ‘Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit’, ndryshuar me ligjin nr.8500 datë 10.6.2000′ dhe udhëzimit të ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr.9, datë 20.03.2018 ‘Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit’, është akorduar fondi 21.8 milionë lekë, për dhënien e shpërblimit të menjëhershëm për deputetët dhe këshilltarët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, që kanë dorëzuar mandatin dhe dhënë dorëheqjen”, – shkruhet në dokument.

  Deputetët që marrin rimbursim qiraje

1.Ilirian Pendavinji
2.Edmond Leka
3.Xhevit Bushaj
4.Edlira Bode
5.Fadil Nasufi
6.Fatmir Velaj
7.Luan Harusha

8.Dritan Bici
9.Senida Mesi
10.Niko Peleshi
11.Majlinda Halilaj
12.Nimet Musaj
13.Enada Kapllani
14.Arlind Çacani
15.Halil Jakimi
16.Nikolin Staka
17.Selami Jenisheri
18.Kostaq Papa
19.Vasil Sterjovski
20.Ervis Meço
21.Artemis Dralo

Burimi: GSH.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto