“Integrimi s’është proces për t’iu pëlqyer të tjerëve”, Rama flet për mos hapjen e negociatave

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për mos hapjen e negociatave nga ana e BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Janë bërë përpjekje maksimale për të arritur atë që kemi merituar. Këtë nuk e themi ne, tanimë e ka thënë me shkrim Komisioni Europian, por e dëgjuat vet të thuhet nga një pjesë e madhe e kryeministrave të BE dhe nga Merkel.

Dua t’iu them se kam marrë një numër të konsiderueshëm mesazhesh nga një pjesë e kryeministrave të pranishëm në takim. Ishim në kontakt dje me disa prej tyre, edhe me Macron komunikova. Faktikisht, nëse duam të shikojmë drejt në sy të vërtetën është ajo që kam thënë prej disa kohësh, duke e parë nga të gjitha kontaktet se procesi po shkonte drejt një përplasje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë.

Gjermania bëri një lëvizje me shpresën për të pasur një pikë kompromisi. Nga ana e Macron nuk ka pasur asnjë hapje për të gjitha ato që i dëgjuat vet nga Macron. Unë i kam dëgjuar edhe më shkoqur se aq. Franca kërkon të arrihet në një tjetër objektiv për horizontin e integrimit.

Komisionerët sot e thanë se kjo që ndodhi është një mos arritje e konsesusit midis vendeve anëtare për arsyet e tyre. Është e tepërt kur i shtohen bishta kësaj që është thelbësore, jo po azilantët, jo po ajo, këto janë bishta. Sikur të kishte qenë cilido qoftë vendet që sot janë në BE dhe të priste dje konsesus, nuk do e kishte marrë këtë vendim.

Kemi marrë një refuzim për t’u marrë në konsideratë për negociatat mbrëmë, por ne do vazhdojmë t’i bëjmë reformat për vendin tonë. Është gjëja e duhur për popullin tonë. Do vazhdojmë po njësoj me plotësimin e parakushteve të vendosura në votën “Po” të Bundestagut gjerman.

Procesi i integrimit është proces i transformimit të brendshëm, s’është një proces për t’iu pëlqyer të tjerëve. Ndërkohë që ata të cilët janë jashtë nesh, që përfaqësojnë BE, e thonë pa ekuivok që në mos arritjen e vendimit të djeshëm, përgjegjësia është e brendshme e BE, është e papranueshme që këtu shtrohet diskutimi sikur mos vendimi i djeshëm vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave. Ne i kemi përmbushur detyrat, jo 1 herë, por dy herë rresht”, tha Rama.

Ju mund të pëlqeni dhe këto