I irrituar, Gjuzi kërcënon nga Kuvendi: “Do i kërkoj Ramës t’ju shkarkojë”

Deputeti Kujtim Gjuzi është shfaqur sot i irrituar me mazhorancën për shkak se në disa nga komisionet parlamentare, mungon flamuri kuqezi.

Nga foltorja e Kuvendit, Gjuzi ka nxjerrë një flamur kuqezi nga një çantë dhe ia ka dhënë atë deputetit të PS, Ervin Bushatit, duke i kërkuar që ta vendosë në sallat e komisioneve.

Në fjalën e tij, deputeti ka thënë se do kërkonte shkarkimin e të gjithëve që drejtojnë komisionet tek kryeministri Rama nëse përsëritet mungesa e flamujve.

”Nuk dua si parti konservatore, të shoh komisione që iu mungon flamuri kombëtar. Nuk ka shans më, ka ardhur partia Konservatore, e kam ruajtur flamurin e qendisur nga familja e Kazazëve dhe Belishova.  Iu kërkoj ju zonja e nderuar nënkryetare, dhe deputetit Ervin Bushati, që ta merrni flamurin dhe ta vendosni në çdo komision, është i qendisur me dorë si te Marigoja. Do i kërkoj kryeministrit Rama që të shkarkojë këdo që nuk e respekton këtë rregull”, u shpreh Gjuzi.

Ndërkaq, Ervin Bushati shkoi drejt foltores së Kuvendit dhe ka marrë flamurin.

 

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto