EUROPOL hap zyrën në Tiranë, ministri Lleshaj: “Shqipëria është integruar ‘de facto’ në BE”

Ditën e sotme, është bërë e ditur se EUROPOL do të ketë një zyrë në Tiranë. Si rezultat, një oficer nga Europol do të punojë në një zyrë të posaçme në Policinë e Shtetit.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj zyre, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, është shprehur se kjo arritje thellon bashkëpunimin me këtë institucion. Sipas tij, Shqipëria është integruar “de facto” në BE.

“Përpjekja jonë për integrim në Bashkimin Europian po konkretizohet përditë e më shumë në element konkretë dhe praktikë. Fillimi i operacionit të FRONTEX në kufijtë e Shqipërisë, përbën një hap të rëndësishëm, i cili ndodh për herë të parë në një vend jashtë BE. Edhe hapja e Zyrës së EUROPOL në Tiranë, është e para në rajon dhe siç tha dhe Drejtorja Ekzekutive e dyta në botë pas Uashingtonit, gjë që na bën të ndihemi mirë. Në njëfarë mënyre, ne po realizojmë hapa që shënjojnë njëfarë integrimi de facto. Dhe kjo qasje, ky integrim de facto në BE, besoj që është rruga më e drejtë për të arritur dalëngadalë e të sigurt drejt integrimit de jure”, tha Lleshaj.

Ju mund të pëlqeni dhe këto