Flower
Flower

Deputetët francezë takim me Ballën: “Palët të gjejnë zgjidhje për ngërçin politik”

Jacques Maire dhe Liliana Tanguy, janë dy deputetët francezë që kanë zhvilluar një takim sot me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe me deputeten Blerina Gjylameti, në kryesinë e Kuvendit.

Deputetët francezë u shprehën se qëllimi i vizitës së tyre në Shqipëri është forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa kur u ndalën tek kriza politike në vend, kanë thënë se nuk duan ta komentojnë situatën e brendshme në Shqipëri, por bënë apel që palët të gjejnë një zgjidhje për këtë ngërç.

“Kemi ardhur për të diskutuar edhe për situatën politike. Është e rëndësishme të kemi diskutime nga afër dhe do kemi diskutime më të detajuara pas zgjedhjeve evropiane. Kemi ardhur për të përforcuar bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Kemi pasur takime edhe me opozitën dhe me qeverinë dhe e kuptojmë qëndrimin e secilës parti. Nuk duam të ndërhyjmë në debatin e brendshëm shqiptar. Duhet konsensus edhe nga ana e publikut. Duhet të kemi parasysh edhe reformat që bën Shqipëria siç është reforma në drejtësi. Kam besim se do gjendet zgjidhje nga shqiptarët”, u shpreh deputeti francez Jacques Maire.

Nga ana tjetër, deputeti francez është përgjigjur edhe mbi pyetjet nëse Franca do të hapi dritën jeshile për Shqipërinë.

“Nuk mendoj se përgjigja është kur Franca do të thotë ‘po’, por kur do të jetë gati Franca për tu shprehur. Se kur Franca do të jetë e gatshme të thotë se kur Shqipëria do të jetë pjesë e BE nuk është një risi, por është një pikë shumë e rëndësishme. Nëse zgjerimi do të ishte diçka për të frikësuar qytetarët për zgjerimin e BE, edhe kjo mund të ndodhë. Përpjekja jonë është letra e Macron, kjo do të thotë që të kemi një komision të ri, një parlament të ri dhe një këshillë të re gjithashtu, një shumicë progresiste në Evropë, sepse po të kemi një mazhorancë të ekstremit të djathtë do të kemi  më shumë probleme në Evropë”, u shpreh ai.

“Qëllimi i vizitës sonë është të forcojmë më shumë bashkëpunimin mes vendeve. Synojmë forcim të bashkëpunimit në turizëm dhe infrastrukturë. Duhet të intensifikohen marrëdhëniet edhe në planin e universiteteve. Ne duam që në Shqipëri të mësohet sa më shumë gjuha franceze. Unë u impresionova nga cilësia e mësimdhënies në Shqipëri. Është një ogur i mirë që në Shqipëri gjuha e parë e huaj të jetë frengjishtja”, tha deputetja franceze Liliana Tanguy.

“Unë jam i sigurt që do të hapen negociatat në muajin qershor me Bashkimin Europian. Franca e mbështet procesin e Integrimit të Shqipërisë”, tha Taulant Balla.

Ju mund të pëlqeni dhe këto