Basha ndërpret takimin me banorët në Durrës, bën veprimin e papritur para mbështetësve të tij

Kryetari i Partisë Demokratike është surprizuar nga mbështetësit e PD në Durrës. Gjatë takimit me ta, Basha ka ndërprerë në një moment bisedën dhe ka dalë në ballkon të përshëndeste mbështetësit e shumtë që ishin mbledhur në zonën ku po mbahej takimi.

Basha i ka falenderuar ata për mbështetjen, ndërsa ka mbajtur një fjalim ku nuk ka kursyer as kritikat ndaj qeverisë Rama.

“Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja, djem dhe vajza, banore dhe banorë të Durrësit dhe Durrësit të ri, faleminderit për mbështetjen tuaj! Për më shumë se një orë kam bashkëbiseduar me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme të Durrësit të ri, brenda këtu, ja ku janë disa prej tyre. Dhe prej më shumë se një orë bashkëbisedim nuk na është ndarë brohoritja dhe entuziazmi juaj! Shprehja më e qartë e padurimit të Durrësit dhe të durrsakëve për ndryshimin që po vjen më 25 prill për Durrësin dhe mbarë Shqipërinë.

Vëllezër dhe motra, unë e di se problemet e mëdha që kanë pllakosur në familjet tuaja, janë shumëfishuar për 8 vite, se kriza e këtyre 8 viteve është rënduar nga tërmeti dhe pandemia dhe se shteti nuk ka qenë asnjë ditë në krahun tuaj, por gjithmonë kundër jush! Se kryeministri në ikje, kurrë nuk ka parë mundësinë për t’ju ndihmuar dhe për t’u trajtuar si qytetarë dinjitoz e taksapagues të ndershëm të këtij vendi.

Vuajtja juaj, vuajtjet tuaja, vuajtjet dhe sfidat e baballarëve dhe nënave, shqetësimi për fëmijët tuaj ka qenë motivimi sa herë kam qenë në shtëpitë tuaja, sa herë kam biseduar me sipërmarrjen dhe biznesin e vogël apo fermerët e kësaj zone. Më ka motivuar dhe na ka motivuar për një program realist, zgjidhjesh, e për të na dhënë ne qeverisjen e re që do të vijë me votën e shqiptarëve më 25 prill! Nuk dua të zgjatem, sepse shëndeti është mbi të gjitha dhe dua t’ju kërkoj të vendosim maskat dhe të mbajmë distancën.

Dua të ndalem në një aspekt; përtej problemeve që kemi diskutuar me përfaqësuesit tuaj sot në takimin që sapo përmbyllëm, që kanë të bëjnë me angazhimin tonë për të përfunduar një borxh që kemi ndaj jush, një premtim të pa mbajtur për 8 vite të Edi Ramës, por që faji është i joni që nuk duhet të ja kishim lënë kurrë atij në dorë, është përmbyllja e procesit të legalizimeve për të gjithë familjet shqiptare pa asnjë përjashtim! Por edhe për të ndërmarrë një problem që u hypur mbi kokë. Ato marrëveshjet e famshme, ato marrëveshjet që ju bëjnë dhe ju detyrojnë të paguani 25-28 mijë e më shumë lekë në muaj, një organizate që quhet OSSHE dhe në vend që t’ju sjellë dritë, ju ka sjellë errësirë, ju ka sjellë stres, ju ka sjellë depresion dhe j’ua zbraz xhepat për të mbushur xhepat e Juel Çelës dhe bandës së tij që do ta shporrim më 25 prill.

110 milionë euro gjoba që Edi Rama do t’i bjerë në qafë buxhetit të shtetit. Nuk do të paguhet nga buxheti i shtetit por ne do t’i konfiskojmë të gjithë pasurinë e pushtetarëve të korruptuar dhe të ortakëve të tyre, sepse paratë e taksave të shqiptarëve nuk do të shkojnë për të paguar tekat e pushtetarëve të korruptuar. Përkundrazi, ne do të bëjmë gjithçka që kjo faturë që rëndon mbi 335 mijë familjet shqiptare, e kam fjalën për atë marrëveshje.

Një faturë e padrejtë, një faturë që paguan luksin e qeveritarëve dhe ato lekë pastaj t’ua mbledhin muaj për muaj tani e tetë vite. Vijnë si hajdutët për t’ju blerë vota. I thoni largohuni, ikni, shporruni. Dhe unë ju garantoj se në sektorin energjitik, amnistia e parë që do të bëjmë është anulimi i këtyre marrëveshjeve dhe heqja së bashku e kësaj barre të rëndë ndaj këtyre 335 mijë familjeve shqiptare. Zoti ju bekoftë ju, Durrësin dhe Shqipërinë dhe mbarë shqiptarëve dhe me 25 prill masivisht votën për numrin 9 dhe Partinë Demokratike. Bashkë për ndryshimin! Shqipëria Fiton!”, tha Basha.

Ju mund të pëlqeni dhe këto