Astrit Patozi: “Meta u dërgua me barrelë drejt majës së shtetit, ndihmesë për të shpjeguar krizën politike”

Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka rikthyer sot në Facebook në status që ai kishte bërë më 29 prill 2017, kohë në të cilën Ilir Meta u shpall President.

“LSI votoi me shpirt ndër dhëmbë, se ua kishte futur Edi Rama. Ndërsa Partia Socialiste votoi me inat sikur po firmoste, jo për zgjedhjen, por për internimin e Ilir Metës”, shkruante Patozi atëherë.

Ndërkaq, teksa e ka ritkhyer këtë status sot, Patozi thotë se kjo është një ndihmesë modeste për të shpjeguar krizën politike që po ndodh sot.

Statusi i vitit 2017 i Patozit: 

KËRKUAM QEVERI TEKNIKE…NA DHANË PRESIDENT TEKNIK

Kisha dy arsye pse nuk u nxitova dje të “uroj” Presidentin e sapozgjedhur, Ilir Metaj. E para, se prita radhën…Dhe më e rëndësishmja, se nuk doja ta prishja solemnitetin e gëzimit të atyre që e çuan, si duke e mbajtur në barrelë drejt majës së shtetit, por edhe merzinë e atyre që u zhgënjyen nga zgjedhja e tij, pasi kishin pritur diçka tjetër.

I vetmi që kishte një arsye për ta mbështetur dje në parlament ishte Ben Blushi, por pikërisht ai votoi kundër. Dhe arsyeja e vetme ishte se ata të dy kanë qenë shokë gjimnazi.

Të gjithë të tjerët, bënë të kundërtën e asaj që donin. LSI votoi me shpirt ndër dhëmbë, se ua kishte futur Edi Rama. Ndërsa Partia Socialiste votoi me inat sikur po firmoste, jo për zgjedhjen, por për internimin e Ilir Metës.

Ky është presidenti që duam, në Shqipërinë që duam, me policinë që duam, me drejtësinë që shumë shpejt do ta duam…prej “Rilindjes” që aq shumë e deshëm dhe e duam…

Mbetet për t’u konsumuar vetëm akti i fundit, nëse do të kemi apo jo edhe opozitën që duam…

Statusi i sotëm:

NJË NDIHMESË MODESTE PËR TË SHPJEGUAR KRIZËN

Për ata, që sot po çuditen shumë me përshkallëzimin e pashembullt të konfliktit të Presidentit të Republikës me shumicën qeverisëse, në pozitat e popullit të lënduar nga papërgjegjësia e kreut të shtetit.
Apo dhe për të tjerë që kanë ndërruar pozicionin, koalicionin apo qoftë edhe vetëm interesin, për shkak të hallit të ri, në krahasim me atë të dy vjetëve të shkuara.
Natyrisht, edhe për ata, që janë gati ta pranojnë si Mesian e tyre, të njëjtin person, të cilin para pak kohësh e konsideronin si shefin e një organizate të rrezikshme kriminale.
Nuk keni pse çirrni faqet dhe mos bëni sikur po përjetoni fundin e botës, se ai nuk ka mbërritur ende dhe nuk ka për të ardhur ndonjëherë në Shqipëri.
Thjesht për t’ju freskuar kujtesën, po ju ftoj që të lexoni diçka të shkurtër, që kam shkruar më 29 prill 2017, me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Ilir Metaj.
Konsiderojeni këtë si një ndihmesë modeste për të shpjeguar krizën dhe për të njohur më mirë shkaktarët.

Ju mund të pëlqeni dhe këto