Arrestimi i Redjan Rrajës, Basha: “Vazhdë e poshtërimit të PS, tregon se kemi një betejë mes bandave”

Lideri i PD, Lulzim Basha, ka reaguar pas arrestimit të nipit të deputetit të PS, Redjan Rraja, i cili dyshohet se ka pasur lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja.

Basha thotë se ky arrestim është një tregues se kemi një luftë të pastër midis bandave kriminale.

“Fatkeqësisht është në vazhdën e poshtërimit të Partisë Socialiste, në vazhdën e poshtërimit të qytetarëve shqiptarë, sepse tregon që kjo është një luftë e pastër mes bandave në pushtet. Është tregues i qartë i nevojës për ndryshim të menjëhershëm, për zgjedhje të parakohshme, që do t’u kthejnë qytetarëve dinjitetin, të drejtën e votës dhe do t’i fuqizojnë duke zgjedhur në Parlament dhe në qeveri njerëzit që meritojnë të udhëheqin aspiratat dhe dëshirat e tyre për ndryshim.

Në funksion të kësaj është edhe turi im që sapo kam nisur. Është një tur bashkëbisedimi dhe dëgjimi, jo vetëm i halleve, brengave dhe i të vërtetës së hidhur si kjo që është shpalosur sot, por edhe i zgjidhjeve, të cilat duhet të prodhojë një qeveri dhe një parlament që të përfaqësojë interesat e qytetarëve dhe jo interesat e bandave kriminale, siç tregon qartë edhe arrestimi i sotëm”, tha Basha.

Ju mund të pëlqeni dhe këto