Plas sherri në Shkodër/ Të rinjtë konfliktohen ashpër, 23 vjeçari gjuan me pistoletë

Të shtëna me armë zjarri u raportuan dje në Shkodër. Sot, policia ka zbardhur këtë ngjarje, ku mësohet se ka pasur një sherr mes disa të rinjve.

Policia raporton se Gledis Ustabeqiri, 23 vjeç dhe Hygert Muçaj, 32 vjeç, janë konfliktuar me 32 vjeçarin Taulant Ahmeti. Mësohet se Muçaj ka goditur me sende të forta 32 vjeçarin, ndërsa Ustabeqiri ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Mësohet se pistoleta e të riut është gjetur në lumin Buna.

Njoftimi i Policisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur dje, më datë 12.02.2020. Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar. Gjendet nga polumbarët, në lumin Buna, arma me të cilën autorët qëlluan në ajër. Nga strukturat DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë reagimit në kohë dhe si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, me datë 12.02.2020, u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar, shtetasve G. U., 26 vjeç, banues në Shkodër dhe H. M., 24 vjeç, banues në Shkodër. Këta shtetas, dje, më datë 12.02.2020, rreth orës 13:50, në vendin e quajtur “Parrucë”, lagjja “Qemal Stafa”, Shkodër, duke udhëtuar me mjetin tip “Benz”, janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin T. A., 32 vjeç, banues në Shkodër, të cilin shtetasi H. M. e ka goditur me sende të forta në pjesën e kokës duke i shkaktuar dëmtime të lehta, ndërsa shtetasi G. U. ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas janë larguar.

Në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një gëzhojë pistolete. Gjithashtu, pas kërkimeve intensive në lumin Buna, nga Njësia Polumbare e repartit RENEA u gjet dhe u sekuestrua pistoleta me të cilën kanë qëlluar shtetasit e lartpërmendur. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Ju mund të pëlqeni dhe këto