Pamjet e rënda brenda morgut, reagon Instituti i Mjekësisë: “Kur janë shumë, kufomat vendosen me respekt në dysheme”

Instituti i Mjekësisë Ligjore ka reaguar pas publikimit të disa fotove të rënda në media, ku shiheshin persona të vdekur në dyshemenë e morgut.

Në një deklaratë për mediat, drejtori i morgut, Bledar Xhemali, ka deklaruar se morgu shpeshherë nuk ka mundësi të sistemojë të gjitha kufomat në mjedise frigoriferike dhe për këtë arsye, trupat vendosen në dysheme.

Gjithashtu, ai ka deklaruar se autori i fotove është kujdesur të kryejë një shërbim të porositur për të nxitur panik dhe nxirë bluzat e bardha të institucionit.

Reagimi i plotë:

Në emër të institucionit dhe të stafit tonë, shpreh indinjatën për inskenimin e bërë me fotografitë që janë nxjerrë në media nga mjediset e morgut!

Periudha që po jetojmë në punën tonë, ashtu si për të gjitha institucionet e ngjashme në spitalet e mbarë botës ka qenë tejet e mbingarkuar. Padyshim që morgu nuk bën asnjë përjashtim në pamundësinë për t’i sistemuar denjësisht të gjitha kufomat në mjediset frigoriferike në dispozicion, kur ka më shumë fatalitete.

Kur jemi në pamundësi, ato sistemohen në tavolina, më pas në barela dhe kur ndodh që të jenë më shumë, vendosen me respektin më të madh në dysheme bashkë me sendet vetjake të paketuara, pasi kryhen proceset përkatëse në pritje që t’u dorëzohen familjarëve. Por kurrsesi nuk është rrëmuja e paraqitur në fotot keqdashëse të shpërndara në media. Sendet personale që shoqërojnë trupat, janë veshjet e të ndjerëve, të cilat përbëjnë kujtime të çmuara për familjarët.

Edhe logjika më elementare të thotë se ky është thjesht dhe vetëm një inskenim! Është e dhimbshme deri në neveri, që autori i fotove është kujdesur të kryejë një shërbim të porositur për të nxitur panik dhe nxirë bluzat e bardha të institucionit. Ne kemi njoftuar institucionet eprore për këtë operacion keqdashës dhe kriminal në raport me publikun dhe shpresojmë që fajtori të identifikohet e të vihet para drejtësisë.

Drejtori

Bledar Xhemali

Ju mund të pëlqeni dhe këto