Mes dhimbjeve dhe lotëve, dëshmitarët rrëfejnë vdekjen e tre të afërmve në pus: “Ata po jepnin shpirt e ne nuk futeshim dot”

Një ngjarje e rëndë u shënua ditën e djeshme, ku Kamber Hoxha, Neim Hoxha dhe Gentian Golashi humbën jetën tragjikisht.

Të shumtë kanë qenë dëshmitarët që kanë parë ngjarjen, por nuk i kanë ndihmuar dot tre personat, të cilët humbën jetën brenda një pusi në Berat.

Së fundmi, dëshmitarët kanë rrëfyer me lot në sy ngjarjen. Banori i fshatit ku ndodhi tragjedia, Sokol Simoni, ka thënë për mediat se e ka parë të gjithë ngjarjen.

Për mediat Simoni ka thënë se e ka parë nga afër Neim Hoxhën duke vrapuar për të shpëtuar kushëririn dhe xhaxhain e tij që kishin mbetur në pus. Por kur ai u afrua, ishte shumë vonë.

 “Pashë Neim Hoxhën që vrapoi për të shpëtuar xhaxhain dhe kushëririn e tij. Unë vrapova të merrja litarët. Kur kthehem, ai kishte hyrë. I bërtita, por ai nuk u përgjigj. Thirra disa herë ‘Kape litarin Neim’, pastaj pashë që ngriu”, ka thënë Sokol Simoni. Ndërkohë, të tjerë familjarë kanë treguar se kanë parë tmerr me sy.

“Ishte e frikshme të shikoje familjen tënde aty brenda në pus, duke dhënë shpirt dhe ne nuk mund të futeshim. E provuan dy nipat të shpëtonin Kamberin, por e pësuan edhe ata. Kamberi hyri që në mëngjes, pasi pusi kishte shteruar ujin dhe ai do ta pastronte. Pa kaluar shumë kohë, filloi të ankohej se nuk po ndihej mirë dhe që po i merreshin mendtë. Aty kërkuam ndihmë pasi unë, grua, nuk mundesha dot të futesha në pus. Sa kanë ardhur çunat, u futën me radhë, por edhe ata ngelën aty brenda. Kush do t’i nxirrte, i thërrisnim, por asnjë nga ata s’po reagonte. U asfiksuan të gjithë atje brenda. Jemi të tronditur nga kjo ngjarje, e kishin pastruar herë të tjera, por nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, është shprehur zonja e shtëpisë.

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto