Komiteti i Ekspertëve merr vendimin, zbulohen masat kufizuese që do jenë në fuqi këto javë

Drejtuesja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli, ka bërë të ditur në një konferencë për mediat se nuk do ketë ashpërsim të masave për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Ndryshe nga sa u tha këto javë se do mbyllen fundjavat, nuk është marrë një vendim i tillë. Rakacolli bëri të ditur se do vijohet me masat kufizuese që ishin në fuqi prej javësh pasi ka patur ulje të numrit të të infektuarve këtë javë.

“Komiteti i Ekspertëve bëri një analizë të thelluar në mbledhjen që u mbajt sot, masat do të vijojnë të jenë njësoj si ato të tre javëve që lamë pas, pasi në javën e fundit ka pasur një ulje të rasteve.  Ndalohen grumbullimet e më shumë se 10 personave, mbledhjet partiake, ceremonitë mortore jashtë familjes. Do të vijojë të jetë në fuqi ora policore pas 22 të mbrëmjes deri në 06 të mëngjesit.

Këto masa do të jenë në fuqi për një afat të pacaktuar dhe në rast se do të ketë një përkeqësim të situatës ato do të rishikohen”, tha ajo.

Ju mund të pëlqeni dhe këto