“Im atë sot do të mbushte 88, e kujtoj me sytë e lagur”, Rama përkujton të atin me dedikimin e ndjerë

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar sot ditëlindjen e babait të tij, skulptorit Kristaq Rama. Përmes një fotoje të publikuar ku shihet me të, Rama shkruan se ishte funerali i babait, momenti kur ai nisi rrugëtimin në politikë.

Në këtë dedikim, kryeministri kujton veprat e të atit, si “Nëna Shqipëri” dhe “Heronjtë e Pavarësisë” në Vlorë, ndërsa sjellë në vëmendje edhe debatet që ka pasur me të gjatë rinisë.

Dedikimi i kryeministrit Rama:

HOMAZH

IM ATË, KRISTAQ RAMA, mori emrin e gjyshit të tij, Kristaq Ramës së parë, që ishte një ndër patriotët firmëtarë të pavarësisë në Durrës, e ia kushtoi jetën e pasurinë hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, në ato kohë kur gjuhës sonë amtare i kanosej fuqia e një armiqësie të madhe. Im atë sot do të mbushte 88, nëse një goditje fatale në zemër nuk do t’ia kishte ndërprerë befasisht rrugëtimin në këtë botë plot 22 vjet më parë, kur vdekja e tij më solli në Tiranë e më ndryshoi rrugëtimin tim. Por kjo është një histori tjetër. Sot, si në çdo 31 korrik, kur unë e kujtoj me sytë e lagur tim atë, më rri para syve buzëqeshja e tij paqësore e pas çdo debati luftarak mes nesh gjatë viteve të rinisë sime të parë – kur unë flisja gjithnjë e më shumë dhe ai rezistonte gjithnjë e më pak. Prej meje, jetës sime në politikë, e cila nisi në ditën e funeralit të tij, arsyeja e mosarsyes politike ka sjellë shumë baltë mbi emrin e tim eti pas vdekjes. Por ajo buzëqeshje e shkrin dhe tret krejt baltën, mu si në çdo paradite feste kombëtare, kur qyshse për shkak të detyrës shkoj tanimë prej 20 vjetësh, tek Nëna Shqipëri a tek Heronjtë e Pavarësisë në Vlorë. Pasi vendos kurorën, përulem dhe pastaj ngre kokën drejt lartësisë së veprave që ai la dhe nga qielli më vjen buzëqeshja e tij. Veprat do të jenë aty bashkë me emrin e Kristaq Ramës, kur ata që e kanë baltosur tërë këto vite do të jenë mbuluar me kohë e me vakt, nga pluhuri i një harrese përfundimtare pa kthim. Kishte të drejtë im atë, mos e harro asnjëherë, në këtë jetë ke ardhur për të lënë kujtimin tënd, tek fëmijët e tu, tek ata që të njohën vërtetë dhe në qofsh shumë i zoti, tek populli yt. Të tjerat i merr era dhe në fund edhe trupi i vetë njeriut erë bëhet.

Ju mund të pëlqeni dhe këto