I shpëton Vettingut, vendoset sërish në detyrë Gjykatësja e Kurbinit

Marçela Shehu, gjyqtarja e Gjykatës së Kurbinit, është rikonfirmuar në detyrë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin për të ditën e sotme.

Ajo është një nga 14 kandidatet për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Komisioni bëri vlerësimin e tij duke u bazuar në kontrollin e pasurisë, aftësive profesionale dhe figurës së gjyqtares.

Ajo doli më 1 qershor para KPK, organit bazë të Vettingut, ku rezultoi se nuk kishte bërë asnjë shkelje dhe nuk kishte fshehje të pasurisë.

KPK ka deklaruar se sipas ILDKPI deklarimi i pasurisë së Shehut është i saktë dhe gjyqtarja e ka justifikuar pasurinë. Trupa e gjyqtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici, dha vlerësim pozitiv për gjyqtaren Shehu.

“ILDKPI ka dorëzuar raportin me konstatim se është deklarim i saktë pasurie. Nga verifikimi jonë ka deklaruar shtëpi banimi 100 m katror në Tiranë, makinë ‘Mercedez Benz’ blerë në 2016 për 6 mijë euro, para cash 1 milion e 350 mijë lekë dhe depozitë kursimi për fëmijë. Për sa i përket figurës DSIK ka sjellë raport ku shprehet se gjyqtarja nuk ka shkelje dhe është e përshtatshme për të vazhduar detyrën”, deklaroi KPK.

Ajo ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe pasi punoi për pak muaj në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare e Gjykatës së Kurbinit-pozicion të cilin e mban edhe sot.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Të dhënat tregojnë se gjyqtarja Marçela Shehu zotëronte një pasuri familjare prej 1.3 milionë lekësh në vitin 2006. Në fund të vitit 2016, pasuria e saj është dyfishuar, duke kapur vlerën e rreth 2.7 milionë lekëve.

Pasuria familjare e zonjës Shehu ndahet në 200 mijë lekë llogari bankare, 1.5 milionë lekë kursime në cash dhe rreth 1 milion lekë automjete. Gjyqtarja ka gjithashtu në bashkëpronësi një shtëpi private të ndërtuar në vitet 1998-2000, të cilën e ka përfituar si rrjedhojë e martesës dhe e ka deklaruar atë në vitin 2007.

Të ardhurat e gjyqtares Shehu përbëhen vetëm nga paga e saj dhe ajo e bashkëshortit, të cilat kapin në total vlerën e 12.9 milionë lekëve. Përgjatë viteve në karrierë, zonja Shehu ka shënuar një rritje mesatare të pasurisë prej 133 mijë lekësh në vit.

Ju mund të pëlqeni dhe këto