Haradinaj: Dialogu me Serbinë pa vonesa e pa kushte

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur në favor të vazhdimit të dialogut me Serbinë mirëpo, sipas tij, ai duhet të jetë pa kushte.

Përmes një postimi në Twitter, Haradinaj, ka thënë se qeveria i ka prezentuar vendeve të Quint-it dhe Bashkimit Evropian, një draft për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ku bëjnë pjesë edhe temat e papërfunduara për njohje të dyanshme në kufijt ekzistues.

Haradinaj ka shkruar në gjuhën angleze: “Pajtohem për nevojën e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria i ka prezentuar Quint-it dhe BE-së draftin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, përfshi temat e rëndësishme për njohje të dyanshme në kufijt ekzistues. E ritheksoj se dialogu duhet të jetë pa vonesa dhe pa kushte. Promovo për njohje”.

Postimi i Haradinajt vjen dy ditë pasi vendet e Quint-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara), përmes një deklarate të përbashkët i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare.

Në deklaratë theksohej: “Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për tërheqjen e njohjeve kundër Kosovës”.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit të kaluar, për shkak të taksës 100% ndaj mallrave serbe. Serbia e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në dialog me heqjen e taksës, nga ana e autoriteteve të Kosovës.

Thirrjes së SHBA-së dhe BE-së për të shfuqizuar taksën, Haradinaj, deri më tani, i është përgjigjur negativisht.

Ju mund të pëlqeni dhe këto