Vlera e euros bie drastikisht në vend, çfarë e shkakton këtë rënie

Monedha e përbashkët, euro, ka pësuar sërish një rënie të fortë. Ndonëse prej një kohe ishte stabilizuar me rreth 122 lekë, sot ajo ka rënë prapë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 121.74 lekë, duke shënuar një rënie prej 0.17 lekësh në raport me një ditë më parë. Që nga e enjtja e javës së kaluar kur u rrit në 122.3 lekë, monedha e përbashkët, ka rënë me 0.55 lekë.

Euro po i afrohet sërish nivelit më të ulët në 11 vjet, që është arritur në 19 qershor të këtij viti.Aktorët e tregut valutor pohojnë se arsyeja kryesore e kësaj rënieje lidhet me efektet sezonale, si të ardhurat nga turistët dhe shtimi i prurjeve të emigrantëve.

Të dhënat e INSTAT treguan së në 6 muajt e parë të këtij viti, numri i turistëve në vend ka arritur në nivel rekord, që kulmuan në qershor. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në qershor 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 630.334.

Krahasuar me qershor 2018, ky numër është rritur me 27,0%. Vendin e parë e mbajnë shtetasit nga Kosova, me një rritje të ndjeshme prej 55% në raport me të njëjtin muaj të një viti më para. Në total kanë hyrë 213.5 mijë shtetas nga Kosova. Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, ata janë dyndur në plazhet e Shqipërisë, duke shfrytëzuar sidomos fundjavat.

Në vend të dytë janë maqedonasit, me rreth 68 mijë hyrje dhe rritje 14,3%. Nga Greqia kanë hyrë 10% shtetas më shumë (rreth 46 mijë). Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar edhe të italianëve, hyrjet e të cilëve u rritën me rreth 9% (41.5 mijë). Rritje të ndjeshme kishin turistët nga Anglia, me 34% (14.3 mijë) dhe sidomos nga Mali i Zi me 35% (rreth 38 mijë hyrje). Të ardhurit nga Zvicra u rritën ndjeshëm me rreth 55%, por gjithsesi ata mbetet shumë të paktët në numër, në rreth 5 mijë persona.

Ky fluks i vizitorëve të huaj ka rritur dhe ofertën e valutës në vend, duke ndikuar në forcimin e euros. Përgjithësisht tendenca pritet të vazhdojë dhe ne gusht, ku krahas turistëve në vend kthehen edhe emigrantët, një tjetër faktor që nxit ofertën për valutë në vend.

Ju mund të pëlqeni dhe këto