Studimi/ Pandemia ngadalësoi konsumin dhe rriti kursimet

Kriza e beftë që solli pandemia e Covid-19 i ka shtyrë shqiptarët të rrisin kursimet. Një studim i përgatitur nga Olta Manjani, specialiste në Departamentin e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, argumenton se kjo sjellje pasqyron rënien e konsumit, bazuar në të dhënat e shpenzimeve konsumatore për tremujorin e parë të vitit, por edhe rritjen e pasigurive për të ardhmen.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit korrik, totali i depozitave arriti në 1.23 trilionë lekë, ose afërsisht 10 miliardë euro. Depozitat bankare janë rritur me 36 miliardë lekë, ose 290 milionë euro që nga fillimi i vitit.

Duke iu referuar studimeve të ngjashme, një sjellje e tillë konsumatore e individëve evidentohet gjithashtu në shumicën e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Europian. Madje, në BE rritja e kursimeve në tremujorin e parë të këtij viti ishte më e larta në 20 vitet e fundit.

Për sa u përket zhvillimeve në të ardhmen, të dhënat e vrojtimeve mbi pritjet e individëve për kursim, evidentojnë një prirje në ngadalësim të tyre për 12 muajt e ardhshëm.

Me rënien e burimeve të të ardhurave për periudha kohore të zgjatura, individët priren të ruajnë një nivel të qëndrueshëm në kohë të konsumit të mallrave dhe shërbimeve bazë, duke përdorur kursimet për përballimin e nevojave të tyre.

Megjithatë, studimet e ngjashme për situata të tilla në të shkuarën tregojnë gjithashtu se në kohëra krizash ekonomike, fatkeqësish natyrore apo epidemish, mund të priten ndryshime strukturore në sjelljen e ekonomive familjare. Efekti i pasigurisë për të ardhmen mund të mbizotërojë atë të rënies së të ardhurave në ecurinë e pritshme të kursimeve; kjo nënkupton se individët mund priren edhe më shumë drejt kursimit, duke ulur më tej konsumin.

Burimi: Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto