Shtohen edhe 48 mijë përfitues të pensioneve deri në 2022, ja sa shkon kostoja

Instituti i Sigurimeve Shoqërore parashikon se në tre vitet e ardhshme, 2020-2022 numri i pensionistëve që shtohen në skemën e sigurimeve shoqërore arrijnë në 48 mijë me një shtesë vjetore mesatarisht 16 mijë pensionistësh të rinj në vit.

Për shkak se vitin e ardhshëm, popullsia e vendit do të futet në procesin e plakjes së shpejtë të popullsisë, numri i pensionistëve do të rritet në vijim me ritme më të shpejta.

Sipas Ministrisë  së Financave, mbulimi i efekteve financiare të shtesës natyrale të numrit të pensionistëve ka një efekt financiar rreth 13 miliardë lekë (105 mln euro).

Mbulimi i efekteve financiare të skemave të reja të përfitimeve, naftëtarë e minatorë pas rishikimit, parashikohet të sjellin një efekt financiar të harmonizuar prej rreth 1.45 miliardë lekë.

Sistemi do të vazhdojë të mbështesë me të ardhura mesatarisht nga 744-792 mijë persona që kanë përfituar dhe përfitojnë pensione publike, pensione suplementare si dhe një sërë të ardhurash të tjera të parashikuara me ligje si dhe, vendime të veçanta e vendime kompensuese të Këshillit të Ministrave.

Ndërsa numri mesatar i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore parashikohet mbi 820 mijë persona, me një rritje në masën 4 % më shumë se i pritshmi i vitit 2019.

Shkalla e mbulimit të popullsisë në moshë punë (kontribuues / popullsi në moshë pune) parashikohet të jetë mbi 43%.

Pjesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore ndaj totalit të fondeve të alokuara për skemat e sigurimeve shoqërore do të arrijë të mbulojë mesatarisht rreth 65.8 % të totalit.

Financimet e buxhetit të shtetit për programin “Sigurimi shoqëror” nga 35.2% në vitin 2020, në vitin 2021 përcaktohet të jenë 31.1% e shpenzimeve, me një reduktim rreth 2.8 miliardë lekë.

Rritja e nivelit të përfitimeve të pensionistëve, sipas rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit dhe të shërbimeve, të përcaktuar në shportën e pensionistëve.

Rritja është llogaritur me indeksin mesatar 2.5 % në vit, duke filluar në periudhën 1 prill të çdo viti, duke respektuar kështu edhe fondet e kontigjencës.

Fondet kontigjencë për rritjen e pensioneve janë në vitin 2020 mbi 2,5 miliardë lekë me 2021 mbi 2,6 miliardë lekë dhe në vitin 2022 mbi 3,1 mld lekë.

Burimi: Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto