Flower
Flower

Shqiptarët rrisin kursimet, ja në çfarë vlerash në euro shkojnë depozitat e tyre

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë mbi monedhën e euros, depozitat në fund të vitit 2018 kanë arritur në 4 miliardë euro, me një rritje prej 10% me bazë vjetore ose 370 milionë më shumë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë i kursimeve në monedhën e përbashkët.

Shtimi i depozitave në euro në 2018-n ishte shumë më i lartë krahasuar me vitin e mëparshëm, kur ato u rritën me vetëm 68 milionë euro. Në vitin 2018 rritja erdhi nga depozitat pa afat të individëve dhe nga kursimet e korporatave jo financiare.

Rreth 77% e depozitave në euro zotërohen nga individët, ku më të preferuarat janë ato me afat 1 vjeçar (35% e totalit të individëve). Megjithatë, në 2018-n, preferencë kanë qenë depozitat rrjedhëse, të cilat kanë shënuar edhe rritjen më të madhe, ndërsa depozitat me afat 12 mujor kanë qëndruar pothuajse të pandryshuara.

Të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë, të publikuara në lekë për totalin e kursimeve, bëjnë të ditur se depozitat në valutë në fund të 2018-s, kursimet në monedhë të huaj arritën në 53.9% të totalit, duke shënuar nivelin më të lartë historik.

Banka e Shqipërisë në shkurt të 2018-s nisi një fushatë për deeuroizimin e ekonomisë, që synonte uljen e përdorimit të euros si në kahun e kredisë ashtu dhe të depozitave. Ndërsa në kahun e kredisë funksionoi dhe pesha e huasë në valutë u ul me 0.7 pikë përqindje, nuk ndodhi e njëjta gjë me kahun e kursimeve. Pesha e depozitave në valutë u rrit me 1.2 pikë përqindje.

Ndryshe nga depozitat në valutë, ato në lekë shënuan rënie në 2018-n, duke u tkurrur me rreth 4%, apo gati 17 miliardë lekë më pak, si rrjedhojë e interesit të ulët të individëve për të mbajtur kursimet në banka në një ambient me norma të ulëta interesi. Një tjetër faktor, sipas bankierëve, është niveli i ulët i qarkullimit të lekut në ekonomi.

Në total, depozitat në total, të raportuara në lekë ishin 988 miliardë lekë, me një tkurrje prej 3.2%, të ndikuar nga leku. Por, nëse heqim efektin e nënçmimit të euros, shtimi i depozitave në valutë (+ 370 milionë euro) ka kompensuar rënien e atyre në lekë (-120 milionë euro), duke bërë që stoku i depozitave në total të rezultojë me rritje prej rreth 250 milionë euro.

Burimi: Monitor

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto