Shpenzimet e familjeve në Shqipëri për t’u ushqyer më të lartat në Europë, ku e bëjnë pazarin kuksianët

Familjet shqiptare shpenzojnë më shumë për t’u ushqyer jo vetëm në raport me gjithë vendet e tjera të Europës, por edhe me rajonin.

Mesatarisht, 44% e shpenzimeve shkojnë për ushqime e pije jo alkoolike, sipas INSTAT, gati 4 herë më e lartë se mesatarja europiane. Referuar INSTAT, vlonjatët renditen të parët për peshën e lartë të shpenzimeve për ushqime, e pas tyre Elbasani, Durrësi, Shkodra, ndërsa Tirana mban vendin e 10-të. Pasi sigurojnë ushqimin, dritat, ujin, qiratë, veshjet, mobilimin, familjeve u mbeten më pak para se fqinjët për të udhëtuar, argëtuar, për pushime etj.

Kuksianët bëjnë pazar në Prizren

Leverdia e kostos më të ulët te fqinjët është shfrytëzuar nga qytetarët e Kukësit. Ata thonë se tani që euro ka pësuar ulje dhe rruga është e shtruar, është më e përshtatshme të bëjnë pazaret atje. Po ashtu një arsye tjetër është edhe karburanti më i lirë, si edhe larmia e produkteve krahasuar me Kukësin.

INSTAT raportoi se në vitin 2018, Kukësi, ndonëse rajoni më i varfër për të ardhurat, është prefektura që shpenzoi më pak për t’u ushqyer.

Por nga ana tjetër, ka një rritje të shpenzimeve për karburant si pasojë e lëvizjeve të shpeshta. Por sërish për ta është më e leverdisshme, pasi një litër naftë në Kosovë e blejnë afro 1.1 euro (130-135 lekë) , ndërsa në Shqipëri deri në 180 lekë.

Burimi: Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto