Shifrat më të larta në 2016-2018, ja sa shqiptarë kanë kërkuar azil në Francë

Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë vitit 2018 numëroheshin 9,655 azilkërkues nga Shqipëria në Francë, duke u renditur kështu nacionaliteti i dytë më i madh, pas afganëve.

Numri azilkërkuesve nga Afganistani, i cili nuk konsiderohet një vend i sigurt, sikurse është Shqipëria, ishte 10,340 me një diferencë shumë të ulët me Shqipërinë.

Në 2017-n, shqiptarët renditeshin të parët në Francë si azilkërkues me 12,130 aplikime, duke shënuar rekord aplikimesh, që prej të dhënave të para historike që ka Eurostat mbi azilkërkuesit.

Që prej 2008-s në Francë kanë aplikuar për azil mbi 45 mijë shqiptarë. Pjesa më e madhe e aplikimeve janë përqendruar gjatë 3 viteve të fundit, me 29,290 aplikime, sa 65% e totalit të aplikimeve në dekadën e fundit.

Trendi gjatë shtatë muajve të parë të 2019-s ka qenë sërish në rritje, me një mesatare prej 834 aplikime në muaj. Nga janari deri në korrik numëroheshin në total 5,835 aplikime nga shqiptarët në Francë, 25% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

ë 6 muajt e parë të vitit janë larguar mesatarisht për çdo 100 mijë banorë 55 shqiptarë. Ky është numri më i lartë krahasuar me vendet që në vlerë absolute renditen të parët për kërkesat për azil, por sigurisht të parët edhe në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Thuajse me dy herë më pak aplikime se Shqipëria renditet Siria, ku sipas përllogaritjeve të “Monitor”, duke u bazuar në numrin e popullsisë, kanë aplikuar për azil mesatarisht 29 sirianë për çdo 100 mijë banorë të Sirisë.

Në vend të tretë renditet sërish një vend europian, Gjeorgjia, ku sipas përllogaritjeve në gjashtë muaj, për çdo 100 mijë gjeorgjianë kanë aplikuar për herë të parë 15 individë për azil. Sipas një artikulli të Deutsche Welle, aplikimet për azil nga Gjerogjianët u trefishuan në 2017-n, kryesisht në Gjermani, pas heqjes së vizave. Shteti gjerman mbetet tërheqës për ta për shkak të pagave të larta dhe standardeve më të mira të jetesës. Situata u bë shqetësuese, saqë qeveria e Gjeorgjisë mori masa vitin e kaluar për të luftuar migrimin ilegal të gjeorgjianëve.

Ju mund të pëlqeni dhe këto