Pensionet, BB: Shqipëria raport të ulët mbështetës

Pesë vjet pas zbatimit të reformës së pensioneve në Shqipëri Banka Botërore që ishte edhe mbështetja kryesore në këtë nismë ka bërë një analizë të situatës. Në një raport të titulluar “Shqipëria, sfidat e politikave të pensioneve në 2020-ën” nënvizohen disa aspekte të sistemit nga shkalla e kontributeve tek raporti i mbulimit dhe ndryshimet demografike si dhe nevoja për përfshirjen e skemave me kosto të ulët të kursimeve si plotësuese të kolonës së parë.

“Shqipëria prezantoi reforma të rëndësishme parametrike në sistemin e saj të pensionit në 2015, me disa aspekte ende në proces deri në implementimin e plotë, siç është rritja e moshës së pensionit. Këto reforma kanë përmirësuar qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit, por shtrojnë pyetje në lidhje me përshtatshmërinë e përfitimeve dhe nëse prezantimi i një pensioni jo-kontribues do të kompensojë trendin në rënie të mbulimit.

Shqipëria duhet të vazhdojë të monitorojë efektet e reformave, si dhe të përmirësojë aspektet specifike të sistemit, si pensionet e fshatit, pensionet e aftësisë së kufizuar dhe regjimet speciale. Masat gjithashtu mund të marrin parasysh edhe zgjerimin e kursimeve vullnetare për të plotësuar pensionet e kolonës së parë” vlerëson BB në përmbledhjen prezantuese të raportit.

Treguesit aktualë të sistemit

BB vlerëson se shuma mesatare e pensionit (në lekë shqiptare) është rritur lehtë me kalimin e viteve. “Megjithatë, kur krahasoni pensionet mesatare me të ardhurat mesatare kontributive, shkalla e zëvendësimit për pensionet e qytetit eshtë ulur nga 43.2 për qind në 2015 në 41 për qind në 2018 në terma bruto.

Shpenzimet e pensioneve në Shqipëri janë ndër më të ulëtat me Bashkimin Europian apo  vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sidoqoftë, vlen të përmendet se deficiti në skemë ka një kosto 2.7 për qind rë PBB-së.

Rënia e vërejtur në normat e zëvendësimit do të duhet të monitorohet me kalimin e kohës dhe të vlerësohet nëse kjo rënie përfaqëson një trend të qëndrueshëm.

Shqipëria përfaqëson një nga raportet më të vogla të mbështetjes (numri i kontribuuesve për 100 përfitues) të të gjitha vendeve të Evropës. Pavarësisht reformës së fundit të 2015 për të kontrolluar numrin e përfituesve të hershëm të pensionit,  tendencat demografike vazhdojnë të ulin këtë raport. Nga ana tjetër mbulimi i sistemit të pensioneve është zvogëluar që nga viti 1994, numri i pensionistëve gjithashtu ka mundësi që të ulet për shkak të rritjes së punës jo formale.  Teksa brezat e pas vitit 1994 fillojnë të dalin në pension, numri i kontribuuesve dhe pensionistëve ka të ngjarë të bjerë, me një efekt të papërcaktuar në raportin e mbështetjes. Nëse raporti i mbështetjes vazhdon të përkeqësohet, qëndrueshmëria dhe aftësia e sistemit për të paguar pensionet përkatëse në planin afatgjatë do të rrezikohet.

Shkalla e kontributeve e aplikuar nga Shqipëria prej 21.6 për qind është afër mesatares evropiane prej 21 për qind dhe më e lartë se mesatarja e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit (OECD) prej 18 për qind. Megjithatë, siç vërehet, kontributet e mbledhura nuk janë të mjaftueshme për të paguar shumën totale të e pensioneve të dhëna nga sistemi” thuhet në raport.

Rekomandime dhe ndërhyrje të mundshme në të ardhmen

“Reforma e pensioneve e vitit 2015  shkoi në drejtimin e duhur të përmirësimit të qëndrueshmërisë si dhe sigurimin e një lidhje më të ngushtë midis kontributeve dhe përfitimeve (domethënë forcimi i stimujve) për të kontribuar) dhe sigurimin e një baze themelore të ndihmës për të ardhurat në pleqëri me prezantimin e një pensioni bazë.

Është e rëndësishme të monitorohet ecuria e parametrave kryesorë siç janë shpenzimet e pensioneve, kontribuuesit dhe të ardhurat kontributive, normat e zëvendësimit dhe moshat mesatare të daljes në pension për të mbajtur nën kontroll efektet e reformave. Për më tepër, tendenca demografike dhe rënia e lehtë e niveleve të zëvendësimit vërejtur kohët e fundit sugjerojnë nevojën për të eksploruar burimet plotësuese të të ardhurave nga pensioni për individë me të ardhura të mesme të ulëta.

Nëse raporti i përfitimit përkeqësohet (aktualisht duke përmbushur kriteret e Organizatës Ndërkombëtare të Punës [ILO] për 40 për qind të pagave pas 30 vjetësh kontibute), skema me kosto të ulët kursimet dhe plotësuese të pensionit mund të eksplorohen për të mundësuar mbështetje të mëtejshme të të ardhurave në pleqëri.

Duke pasur parasysh reformat e fundit dhe ndryshimin e vazhdueshëm të faktorëve ekonomikë dhe demografikë, parashikimet afatgjata financiare dhe demografike të sistemit janë të nevojshme për të kuptuar në afatgjatë implikimet e reformave dhe të sigurojë një bazë solide për të vlerësuar rekomandimet e politikave të tyre dhe ndikimet afatgjata në sistem. Për më tepër, ka hapësire për të punuar në disa aspekte specifike të sistemit të pensioneve si regjimet e veçanta dhe mbulimi i pensioneve të fshatit.

Përvoja ndërkombëtare mund të shërbejë si një pikë referimi e dobishme për të analizuar opsionet për të vazhduar forcimin e sistemit në Shqipëri, duke përmirësuar qëndrueshmërinë, mbulimin dhe barazinë e saj” vlerëson BB.

Burimi: Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto