Flower
Flower

Parashikimi i FMN: Ekonomia shqiptare do të ngadalësohet në vijim

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia shqiptare do të rritet me 3.7% në vitin 2019, por është duke u ngadalësuar në raport me 2018-ën, kur rritja ishte në 4.2%.

Statistikat e reja të FMN-së janë publikuar në raportit e sotëm të “Pasqyrës Ekonomike Globale”. Lajmet nuk janë të mira as nga ekonomia globale dhe sidomos ajo europiane, nga e cila ne varemi dukshëm, teksa FMN pret që rritja të jetë më e ulët për 70% të globit. Italia, drejt të cilës shkojnë gati gjysma e eksporteve shqiptare pritet të rritet me vetëm 0.1% në 2019-s, sipas FMN-së, duke e ulur pritshmërinë me 0.5 pikë përqindje në krahasim me raportin e janarit.

Për Shqipërinë, në krahasim me raportin e tetorit, FMN ka rritur vlerësimin për ekonominë në  2018-n, nga 4 në 4.2%, ndërsa ka mbajtur të pandryshuar pritshmërinë për 2019-n.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, rritjen më të madhe në 2019-n pritet që ta ketë Kosova, me 4.2%, më pas renditet Shqipëria me 3.7%, Serbia me 3.5%, Bosnja me 3.1%, Maqedonia e Veriut me 3% dhe Mali i Zi me 2.8%.

Për Turqinë, FMN parashikon një rritje negative prej -2.5%, ndërsa nga vendet e Europës Lindore, performancën më të mirë pritet që ta ketë Polonia, me 3.8%.

Në afat të mesëm, FMN nuk është shumë optimiste për zgjerimin ekonomik të vendeve të rajonit. Ekonomia shqiptare nuk pritet të rritet më shumë se 4% deri në vitin 2024, së bashku me atë të Kosovës, ndërsa për shtetet e tjera, shifra do ë variojë midis 2.9 dhe 3.8%.

Sipas institutit shqiptar të statistikave, INSTAT, në vitin 2018, sipas vlerësimeve paraprake, ekonomia e vendit u rrit me 4.06%, duke u përshpejtuar në raport me 3.8% vitin e mëparshëm. Rritja ishte mbi 4% në tre tremujorët e parë, për shkak të performancës së energjisë, që rriti prodhimin e ndikuar nga moti me reshje, ndërsa në të katërtin, kur ishte thatësirë, treguesi u ul ndjeshëm në 3.1%. Për shkak të mungesës së efektit të energjisë dhe ngadalësimit të investimeve, teksa dy projektet e mëdha gazsjellësit TAP dhe HEC i Devollit janë drejt mbarimit, institucionet ndërkombëtare presin që ekonomia të ngadalësohet në 2019-n.

Burimi: Monitor

Ju mund të pëlqeni dhe këto