Pandemia e Covid-19, sa para kanë humbur bizneset në Kosovë

Përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane, kanë vlerësuar se gjendja ekonomike është e rëndë. Në konferencën për media të organizuar nga këto dy oda u tha se mosmiratimi i projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike është lajm jo i mirë. Është thënë se nga fillimi i pandemisë humbjet në ekonomi janë në vlerën 1 miliard euro

Nga fillimi i pandemisë COVID-19 e deri më tani humbjet e bizneseve në Kosovë janë 1 miliard euro, që është një alarm për vendimmarrësit.

Kështu është thënë në konferencën e përbashkët të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Kryetari i OEK, Berat Rukiqi theksoi se nëse nuk ndërhyhet kolapsi ekonomik është i pashmangshëm, që sipas tij, do të ketë mbyllje të vendeve të punës dhe falimentim të bizneseve.

“Nga fillimi i pandemisë COVID-19 humbjet në ekonomi janë në vlerën 1 miliard euro, dhe duhet ndërhyrë shpejt për pjesën e përgjegjësisë që ka qeveria në adresimin e kësaj situate të rëndë. Nëse nuk ndërhyhet me mjete në ekonomi gjatë fundit të këtij muaji dhe fillimi tetorit kolapsi është i pashmangshëm dhe mbylljen e vendeve të punës dhe bizneseve”, tha Rukiqi.

Ai tha se gjendja ekonomike është e rëndë dhe institucionet po tregojnë paaftësi për trajtimin e kësaj gjendje.

Ndërsa, edhe nuk ka kaluar ende në Kuvend, Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Drejtori ekzekutiv i OEAK, Arian Zeka ka thënë se mos kalimi i ligjit në Kuvend për rimëkëmbje është për keqardhje.

“Ky Ligj është mjaft me rëndësi për vendin, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të shkaktuar nga COVID-19. Debati në Kuvend është i natyrës politike. Kemi nevojë për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe atij edukativ”, tha Zeka.

Ai ka folur edhe për rëndësinë e marrëveshjes të arritur në Shtëpinë e Bardhë që do të jetë mjaft e dobishme sipas tij, nëse nisin së zbatuari.

“Tash disa muaj prej kur dy odat kanë bashkuar forcat në shumicën e rasteve për të adresuar problemet e sektorit privat gjatë pandemisë, është për keqardhje jo vetëm fakti që deputetët kanë qenë në pushim për më shumë se një muaj por edhe që në seancën e parë pas kthimit nuk e votojnë një ligj që është esencial për ringjalljen ekonomike tash pas efekteve që ka shkaktuar pandemia. Hapen investime për mundësi të reja infrastrukturore që i nevojiten Kosovës, investime në transport dhe investime që e shndërrojnë Kosovën”, ka thënë ai.

Sërish është bartur në seancë të re projektligji për rimëkëmbje ekonomike, pasi të enjten vetëm 41 deputetë morën pjesë në votimin në parim për projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike kishte dështuar të votohej edhe në seancën e fundit të sesionit pranveror.

Ndër pikat kryesore të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike ishte edhe mundësia e tërheqjes së 10 për qind të vlerës së Trustit pensional.

Të enjten, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk votuan as për projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, duke bërë që edhe ky shqyrtim të bartet në seancën e ardhshme.

Me këto dy pika ka përfunduar lista e pikave të seancave të mbajtura më herët.

Burimi: Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto