Kursimet kombëtare drejt sektorit të ndërtimit, studimi i BSH: “Të ndryshojë modeli”

Kushtet e reja ekonomike të diktuara nga pandemia Covid-19 dhe konfliktet tregtare, bashkë me plakjen e popullsisë, diktojnë një model të ri ekonomik, që i siguron vendit një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Ilir Vika, nga Departamenti i Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, cili zhvilloi një punë kërkimore “Sfidat e ekonomisë shqiptare për një zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë”, thotë se, ka ardhur koha që arsimi dhe kualifikimi i forcës punëtore të vendosen në listën e parë të prioriteteve të vendit.

Zhvillimet reale në ekonominë tonë tregojnë se, edhe gjatë periudhës afatmesme, një pjesë e madhe e kursimeve do të orientohen në ndërtimet e reja, të cilat nuk prodhojnë zhvillim dhe rritje për të gjithë.

Pritshmëritë tregojnë se kërkesa për ndërtime të reja dhe investimet në këtë sektor do të vijojnë në periudhën afatmesme, edhe për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i madh në nëntorin e kaluar. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e kursimeve do të vazhdojnë të alokohen në ndërtim, duke frenuar, deri diku, potencialin e investimit në fusha të tjera të prodhimit që mund të siguronin një rritje të qëndrueshme të ekonomisë sonë në të ardhmen.

Vitet e fundit kanë renditur një numër të gjatë sfidash për politikëbërësit në Europë. Konflikti tregtar mes ekonomive më të fuqishme të botës, pasiguria e lidhur me daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian, shqetësimet e vendeve të zhvilluara mbi emigracionin, polarizimi ekonomik në Europë dhe brishtësia ekonomike-financiare në disa vende anëtare të BE, etj., kanë rritur skepticizmin e përgjithshëm mbi përfitimet nga globalizmi, ndërsa kanë vënë në diskutim edhe rendin e tanishëm politik e ekonomik.

Deri tani, raportet ekonomike tregojnë se investimet e huaja, shumë të rëndësishme për zhvillimin e rajonit tonë, mbeten përgjithësisht të kënaqshme, pavarësisht rritjes së ulët ekonomike në Eurozonë. Megjithatë, aktiviteti i lëkundur ekonomik në Eurozonë dhe më gjerë mund të ulë entuziazmin për investimet e huaja greenfield në të ardhmen. Atraksioni i investimeve të huaja dhe rritja ekonomike në të ardhmen do të varet nga aftësia e ekonomisë për të zvogëluar hendekun e krijuar.

Prandaj, prioritizimi i “faktorëve plotësues të prodhimit” është i domosdoshëm për mbështetjen e rritjes së shpejtë ekonomike.

Vika sugjeron se, shteti me të gjithë mekanizmat e tij mund të luajë një rol lehtësues në këtë proces, duke përmirësuar klimën e biznesit për lulëzimin e firmave private.

Për më tepër, kufizimet më të mëdha për rritjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare duket se do të vijnë nga pamjaftueshmëria e kapitalit njerëzor dhe e një infrastrukture më të sofistikuar. Pritshmëritë për një tkurrje të ndjeshme demografike në një të ardhme jo të largët ngrenë shumë pikëpyetje mbi mundësitë e rritjes ekonomike.

Për këtë nevojitet një rritje e produktivitetit përmes investimeve dhe adoptimit të teknologjisë që mund të nxisë konvergjencën me Europën Perëndimore, të ndihmojë në zvogëlimin e hendekut të pagave, e për rrjedhojë të frenojë flukset e emigrimit.

Por kjo varet shumë nga gjendja e kapitalit të duhur njerëzor, i cili krijohet nëpërmjet arsimimit dhe aftësive profesionale. Ka ardhur koha që arsimi dhe kualifikimi i forcës punëtore të vihen në listën e parë të prioriteteve të vendit. Gjithashtu, modeli i rritjes ekonomike të fortë në afatin e gjatë kërkon vëmendje të veçantë në përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës “tradicionale”, ashtu dhe të infrastrukturës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Burimi: Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto