Kursimet e shqiptarëve arrijnë rekord në 2019, shifrat

 Kursimet që individët, bizneset dhe institucionet e tjera kanë në banka arritën në një nivel rekord në fund të vitit 2019, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në total, në fund të dhjetorit 2019 në banka kishte mbi 1 trilionë lekë, ose rreth 8.3 miliardë euro.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursimet në banka janë rritur me 3.85%, pas rënies me 1.2% vitin e mëparshëm (që u ndikua në fakt dhe nga zhvlerësimi i fortë i euro snë 2018-n).

Në raport me prodhimin e brendshëm Bruto, depozitat përbëjnë rreth 61% të PBB-së, një ndër nivelet më të larta në krahasim me vendet e rajonit dhe të krahasueshme me ato të zhvilluara, si rrjedhojë e valutës që vjen nga jashtë në formën e remitancave. Mali i Zi ka depozita të krahasueshme me ne, në rreth 60% të PBB-së. Në vendet e tjera, kursimet e popullsisë në banka janë minimale, ku më të ulëtin e ka Kosova, me 32% të PBB-së, Serbia me 42%, Bosnjë-Hercegovina me 50%, sipas të dhënave të tjera të Bankës Botërore.

Gjithsesi, në raport me një dekadë më parë, kur arrinte në rreth 70% të PBB-së, epsha e depozitave në Shqipëri ndaj prodhimit të brendshëm  ka ardhur në rënie për shkak të ngadalësimit të rritjes së kursimeve vitet e fundit.

Dy momentet me rritjen më të lartë edhe në 2019-n ishin në gusht dhe dhjetor, që përkon me ardhjen e emigrantëve në vend për pushimet e verës, ose festat e fundvitit.

Rreth 73% e rritjes në 2019-n erdhi nga valuta, që ka qenë monedha e preferuar nga konsumatorët, teksa rënia e vazhdueshme e interesave për depozitat në lekë ka sjellë një largim të depozituesve sidomos për kursimet me afat.

Si rrjedhojë, në fund të 2019-s, pesha e depozitave në valutë u rrit në 54.6% të totalit, nga 53.9% që ishte një vit më parë.

Në krahasim me vitin 2006, periudha më e hershme që Banka raporton të dhënat, pesha e depozitave në valutë është rritur ndjeshëm me 17 pikë përqindje. Në 2006-n, depozitat në valutë përbënin rreth 37.5% të totalit të kursimeve gjithsej.

Në 2019-n, rritjen më të lartë në vlerë absolute e shënuan depozitat pa afat në valutë, nga individët. Ndonëse interesat e kursimeve në euro janë pothuajse negative, sërish monedha e përbashkët perceptohet si e sigurt, duke bërë që kursimtarët të orientohen drejt saj.

Ndërkohë kursimet me afat në lekë të individëve kanë vijuar tendencën rënëse, duke u tkurrur me 6.5% me bazë vjetore. Kjo tendencë vijon që prej fundit të vitit 2011, periudhë kur banka e Shqipërisë nisi politikën monetare lehtësuese, duke ulur normën bazë nga 6.5% në 1% aktualisht. Kjo ka bërë që dhe interesat për kursimet 12 mujore në lekë, të luhaten sot në më pak se 1%, që realisht është një normë negative, duke pasur parasysh dhe nivelin e inflacionit.

Burimi: Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto