Koncesionet morën 12 % të buxhetit të shëndetësisë më 2018

Koncesionet në sektorin e shëndetësisë të përfaqësuara nga kontratat të lidhura ndërmjet qeverisë dhe privatëve për ofrimin e disa shërbimeve po gllabërojnë me shpejtësi fondet buxhetore te dedikuara për shëndetësinë, duke lënë kështu të pashpresë për rritje pagash dhe përmirësim shërbimesh mijëra punonjës, mjekë dhe infermiere në sektorin publik.

Sipas të dhënave  zyrtare nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore gjatë vitit të kaluar pagesat për tre koncesione me partneritet publik- privat (PPP) dhe paketat spitalore që janë para të paguara ndaj spitaleve private për paketat shëndetësore zunë 12.4 për qind të totalit të shpenzimeve në shëndetësi.

Shpenzimet në sektorin e shëndetësisë arritën vitin e kaluar rreth 41 miliardë lekë, por mbi 5 miliardë shkuan për pagesat e koncesioneve.

Këto pagesa gjatë këtij viti do të rriten edhe më tej për shkak se, ka hyrë në fuqi kontrata koncesionare e shërbimit laboratorik, e cila pritet të kushtojë rreth 900 milionë lekë në vit.

Pagesat më të mëdha shkuan për pagesat e koncesionit të sterilizimit. Sipas burimeve zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor shpenzimet për shërbimet e sterilizimit të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale të kryera nga Partneriteti Publik-Privat (PPP) ishin 2 miliardë lekë në vitin 2018, ose 28.3% më shumë se plani prej 1 miliardë e 560 milionë lekësh që ishte programuar në buxhetin e vitit 2018.

Më pas pagesat më të larta shkuan për paketat shëndetësore 1,3 miliardë lekë.  Kjo shumë është paguar ndaj spitaleve private në bazë të disa kontratave për ofrimin e shërbimeve specifike.

Në vitin 2018, shpenzimet për paketat spitalore në dhënës privat të shërbimit (spitalet jopublike) u konstatuan mbi planin në masën 101.5%, ose 20 milionë lekë më shumë. Financimi i paketave në spitalet jopublike realizohet nga Drejtoria e Administrimit të Paketave Shëndetësore dhe Ekzaminimeve Terciare, Drejtoria Rajonale Berat, Durrës dhe Fier. Ndërkohë, janë realizuar paketa të kardiologjisë 5,923 raste (284 raste në privat e 5,639 raste në publik), paketa të kardiokirurgjisë 904 raste, transplante 20 raste.

Koncesioni i checkup u financua me 876 milionë lekë, shumë kjo e barabartë me 2.1 për qind të shpenzimeve në shëndetësi.

Shpenzimet për koncesionin e dializës gjatë vitit të kaluar arritën në 736 milionë lekë ose 1.8 për qind e shpenzimeve të përgjithshme të sektorit.

Burimi: Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto