Keni kartëmonedha të dëmtuara? Banka e Shqipërisë ju tregon se ku mund t’i ndërroni ato

Në një njoftim zyrtar, Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se ku mund të drejtohen qytetarët që kanë kartëmonedha/ monedha të dëmtuara.

Sipas BSH, mjafton të paraqiteni në njërën nga bankat e nivelit të dytë dhe t’i ndërroni kartëmonedhat/monedhat tuaja të dëmtuara me një të rregullt.

Klienti duhet të paraqitet në sportelet e bankave të nivelit të dytë ku mund të dorëzojë kartëmonedhat dhe monedhat e dëmtuara dhe të tërheq monedhën/at përkatëse në shumën ekzakte të asaj ka dorëzuar.

Kartëmonedha/monedha këmbehet në sportel

  • Në rastet kur kartëmonedhat kanë dëmtime të lehta (shënime, njolla, vrima apo grisje të lehta), ato këmbehen direkt në sportel kundrejt vlerës nominale.

Kartëmonedha/monedha nuk këmbehet në sportel

  • Kur kartëmonedhave iu mungojnë pjesë apo elemente sigurie dhe bankat tregtare kanë dyshim për autenticitetin e tyre, ato nuk këmbehen direkt në sportel, por dërgohen pranë Bankës së Shqipërisë për t’u kryer ekspertiza të mëtejshme.

Në ketë rast, klienti bashkë me fondet e dëmtuara duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim për këmbimin.

  1. Kur kartëmonedhat e paraqitura për këmbim janë të njollosura me bojë, të ndotura, të përmbytura, të djegura apo të dëmtuara në mbi 50% të sipërfaqes së tyre, klienti, përveç kërkesës me shkrim, plotëson dhe një deklaratë që shpjegon burimin e dëmtimit dhe i bashkëngjit çdo dokument tjetër shtesë të lëshuar nga organet kompetente ose nga organet e pushtetit vendor ku përcaktohet burimi dhe rrethanat e dëmtimit të tyre.
  2. Për secilin nga rastet e mësipërme, bankat e nivelit të dytë dërgojnë në Bankën e Shqipërisë kartëmonedhat e dëmtuara së bashku me kërkesën dhe dokumentet shtesë, jo më vonë se 10 ditë pune nga data e plotësimit të kërkesës së klientit.
  3. Banka e Shqipërisë përcakton sasinë e kartëmonedhave/monedhave që përmbushin kriteret për këmbim dhe kalon vlerën nominale të tyre në llogarinë e bankës tregtare. Banka tregtare e kompenson klientin qe ka dorëzuar kartëmonedhat/monedhat e dëmtuara.

Banka e Shqipërisë mund të refuzojë këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave metalike të dëmtuara, në rastet kur ka dijeni ose ka arsye të mjaftueshme për të besuar se:

  • Kartëmonedhat dhe monedhat metalike të paraqitura për këmbim janë dëmtuar qëllimisht (janë kartëmonedha ose monedha të formuara nga bashkimi i dy ose më shumë pjesëve nga kartëmonedha ose monedha të ndryshme). Në këtë rast, kartëmonedhat/monedhat do të konfiskohen pa kompensim.
  • Kartëmonedhat dhe monedhat metalike të paraqitura për këmbim janë përfituar duke kryer një vepër penale.
  • Banka e Shqipërisë do t’i kualifikojë ato si të vlefshme për këmbim vetëm nëse pas verifikimit me autoritetet kompetente përcaktohet se burimi i kartëmonedhave të paraqitura është i ligjshëm.

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto