Flower
Flower

Katër muaj para zgjedhjeve lokale, nga bankat tërhiqen me miliona euro/ Shifrat

Periudhat parazgjedhore në Shqipëri janë shoqëruar me nxjerrjen e parave jashtë bankave, për të shtuar investimet publike apo edhe shpenzime të partive për takime, mitingje, udhëtime, etj.

Kësaj tendence nuk i kanë shpëtuar as zgjedhjet e këtij viti.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se në periudhën shkurt- maj, paraja jashtë bankave u rrit me 2.6 miliardë lekë, apo rreth 21 milionë euro, duke arritur në 274 miliardë lekë, ose rreth 2.2 miliardë euro.
Për krahasim, në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues ishte ulur po me rreth 2.6 miliardë lekë.

Vetëm në maj, paraja jashtë bankave ka rënë me rreth 1 miliard lekë.
Por, ndryshe nga vitet e kaluar, këtë periudhë nuk po konstatohet rritje e shpenzimeve publike. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale ishin 22 miliardë lekë për 5 mujorin, me një rënie prej gati 20% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Paraja jashtë bankave në nivele rekord

Niveli i parasë jashtë bankave në fund të muajit maj ishte 21.6% e totalit të parasë në ekonomi, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, duke qenë më i larti në rajon dhe në Europë, si një tregues direkt i nivelit të lartë të informalitetit në ekonomi. Në raport me një vit më parë, ky tregues është rritur me gati 1 pikë përqindje dhe është afër nivelit m ëtë lartë që nga 2008-a, kohë kur u shënua një tërheqje e parave nga bankat për shkak të panikut që u krijua nga kriza financiare globale e asaj kohe.

Pas një rënieje në vitet në vijim, që prej 2013-n, paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare është rritur vazhdimisht (shih grafikun).
Në të kundërt, paraja gjithsej në ekonomi është reduktuar në katër muajt e fundit të këtij viti (shkurt-maj), një tregues i ngadalësimit të aktivitetit ekonomik.

Në krahasim me vendet e Eurozonës, apo edhe të rajonit, Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë kanaleve bankare. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, në shtator 2017, niveli i parasë jashtë bankave ishte sa 9.2% e totalit. Në Maqedoni, ky tregues, sipas të dhënave të Bankës Qendrore përkatëse ishte 7.4% në fund të tetorit 2018, me një rënie në krahasim me një vit më parë, kur ishte 8.2%, sipas të dhënave që i referohen shtatorit 2017. Në Serbi ishte 6.8% e totalit, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Serbe, që i referohen tetorit 2018.

Burimi: Monitor

Ju mund të pëlqeni dhe këto