Emigrimi po jep efekte në konsum, po ikin njerëzit e shtresës së mesme e të lartë

Sektori i shitjeve me pakicë vijoi të ishte në një garë të fortë për klientë në vitin 2019, duke parë një ‘ashpërsim’ krahasuar me vitin paraprak. Fituesit ishin padyshim qendrat tregtare, kundrejt dyqaneve të vogla, të cilat panë edhe një ndryshim stoku në fund 2018 dhe fillim 2019.

Dallimi vijon të mbetet ndërthurja e konceptit të shitjes me argëtimin. Rritja e numrit të qendrave tregtare ka ashpërsuar luftën mes tyre. Në “kërkim” të blerësve, ato zgjedhin forma të ndryshme marketingu për të qenë konkurruese.

Dyqanet në rrugët kryesore tregtare përpiqen të mbijetojnë duke ofruar ulje të herëpashershme. Jo pak prej tyre nisën mbylljen gjatë 2018, vijuan edhe në 2019, edhe nën efektin e futjes në TVSH për bizneset e vogla.

Investimet në qendrat tregtare në Shqipëri janë zgjeruar me shpejtësi që pas vitit 2005, kur u hap Qendra Tregtare Univers (QTU), në periferi të kryeqytetit. Vetëm në Tiranë ka aktualisht 16 qendra tradicionale tregtare, 4 prej të cilave janë në periferi. Tirana East Gate (TEG) dhe Qendra Tregtare Univers (QTU) mbeten qendrat tregtare më të mëdha në Shqipëri. Tirana Ring Center (TRC) ndodhet në zonën perëndimore të qytetit. Toptani Shopping Center ndodhet në zëmër të kryeqytetit, pozicioni i së cilës lakmohet nga kalimtarët dhe turistët. Qendra tjetër tregtare, City Park, mbylli shumë dyqane të saj në vitin 2019, ndërsa marketon hapjen e supermarketit Big Market si asetin kryesor për momentin.

Ndryshimi në stokun e hapësirës së shitjeve me pakicë është shtimi me 14,000 m², pas rikonstruksionit të Qendra QTU, duke arritur një total prej 41,000 m². Në total, stoku arriti në 216,000 m².

Por, konsumi po vuan pasojat e emigrimit, dhe muajt e fundit dhe të tërmetit.

Menaxherja ekzekutive e Colliers Albania, Stela Dhami, thotë për “Monitor” se vihet re një ulje e numrit të konsumatorëve për shkak të emigrimit të lartë jashtë Shqipërisë këto vitet e fundit të individëve që i përkasin shtresës së mesme e të lartë, e cila është edhe shtresa kryesore që nxit konsumin.

Ndërsa përfaqësues të sektorit të retail shtojnë se mallrat e luksit do të pësojnë ndikimin më të madh gjatë këtij viti për shkak të fatkeqësisë së tërmetit dhe më pak produktet ushqimore. Julian Mane, zv. President i grupit Balfin thotë për Monitor se, shumë sektorë i kanë ndjerë efektet dhe do vazhdojnë t’i ndjejnë në muajt në vazhdim .

Burimi: Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto