Denaj prezanton buxhetin: Si do përballohet pandemia e Covid-19

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, projektligjin “Për buxhetin e shtetit 2021”.

Gjatë prezantimit Ministrja Denaj bëri një ekspoze të ekonomisë gjatë këtij viti, si dhe pritshmëritë deri në fund të 2020.

Referuar pritshmërive të 2021, Ministrja Denaj vlerësoi se ekzistojnë premisat e duhura për një rekuperim të rritjes ekonomike, që prej vitit të ardhshëm.

“Gjithashtu duke marrë në konsideratë që fondametet kryesore të ekonomisë nuk do të pësojnë ndonjë goditje problematike, presim që rritja për 2021 të rikthehet në nivelin e rreth +5.5% dhe më pas të konvergojë dhe stabilizohet afër nivelit + 4% (nivel i cili ne vlerësojmë është dhe rritja potenciale e ekonomisë sonë për periudhën afatmesme në vijim). Rritja ekonomike përgjatë periudhës 2021-2023 pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet”, u shpreh Ministrja.

Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të arrijnë 479 miliardë lekë, ose 10.6 % më shumë se i pritshmi i vitit 2020. Shpenzimet Buxhetore për vitin e ardhshëm janë programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB, me rritje në terma nominalë me rreth 8 miliardë lekë krahasuar me Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2020.

Buxheti 2021 do të vijojnë të mbështesë sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat të marra së bashku garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit në periudhën 2021-2023 e përtej duke gjeneruar njëkohësisht punësim të qëndrueshëm.

Fjala e plotë e Ministres Anila Denaj:

Projektligji i buxhetit të vitit 2021, mbart në vetvete një objektiv madhor, atë të rimëkëmbes ekonomike. Është pikërisht ky objektiv madhor që do të bëjë të mundur tejkalimin me sukses të pasojave negative prej dy fatkeqësive natyrore që kanë goditur vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme: tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19.

Pasojat negative të këtyre dy fatkeqësive natyrore, janë ndjerë në ekonominë e vendit dhe në financat publike, ku pritshmëria jonë mbi rritjen ekonomike në fund të vitit 2020 është në nivelin -6.1%. Pavarësisht kësaj ecurie që ka afektuar gjithë vendet e botës, jemi besimplotë se në vitin 2021 ekonomia shqiptare do të rikthehet në trendin normal të rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku parashikohet një rritje prej 5.5%, duke konverguar në një trend mesatar prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim.

Padyshim përsa i përket rritjes ekonomike, aktivitetit ekonomik dhe implikimet negative në parametrat e buxhetit, ky vit është viti më i vështirë në dy dekadat e fundit. Por megjithatë, nga pikëpamja e qendrueshmërisë së fondamenteve kryesorë ekonomike, përfshirë edhe qendrueshmërinë e financave publike, duket se deri më tani, nuk ka shenja të ndonjë problemi madhor, veçanërisht kjo edhe në terma relativë të asaj çka pritej të ndodhte fillimisht.

Por megjithatë, përpos këtij efekti negativ tejet të lartë në ekonominë tonë, në të njëjtën kohë patjetër duhet theksuar që situata gjithsesi mbetet tërësisht nën kontroll. Kjo si në aspektin e magnitudës së recesionit me zhvlerësohet deri më tani, pra në rreth -6.1%, por sidomos në aspektin e qëndrueshmërisë së fondamenteve kryesore makroekonomike. Pra, do të kemi një impakt të fortë nga kjo krizë, por nga ana tjetër ky impakt është mjaft më i kufizuar dhe nën kontroll krahasimisht me atë çka një pjesë e mirë e institucioneve (ndërkombëtare dhe vendase) parashikonin se mund të ndodhte, qoftë për një magnitudë shumë më të fortë të recesionit, ashtu edhe për impakte drastike në stabilitetin makroekonomik të vendit.

Më lejoni t’ju prezantoj shkurtimisht zhvillimet më kryesore makroekonomike gjatë këtij viti tejet të vështirë:

Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 rezultoi një rënie ekonomike në nivelin e minus 6.6%. Sikurse e theksova më lart, kjo rënie ka ardhur në një masë të konsiderueshme si rezultat i faktit se vendi ynë është veçanërisht i ekspozuar ndaj tkurrjes ekonomike prej pandemisë për shkak se mbështetet fort nga sektori i turizmit dhe për shkak të marrëdhënieve intensive me disa ekonomi të BE-së të prekura rëndë nga pandemia.

Nga optika e kërkesës agregate, në gjysmën e parë të vitit 2020, vlerësohet se të gjithë komponentët e saj kanë pësuar rënie duke reflektuar kështu tkurrje të fortë të rritjes ekonomike. Pasojat e masave shtrënguese në mbarë globin për frenimin e përhapjes së pandemisë, kanë sjellë rënie të fortë të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, konsumit familjar dhe investimeve në ekonomi, kryesisht atyre private. Gjatë kësaj periudhe, konsumi final ka shënuar një rënie prej 6.9%, ndërsa investimet totale kanë pësuar një kontraktim të fortë prej rreth 13.2 % dhe për rrjedhojë kërkesa e brendshme agregate u tkurr me rreth 7.7 përqind.

Ndërkohë, nga pikëpamja e ofertës agregate, përvec sektorit të bujqësisë dhe atij të pasurive të paluajtshme, të cilët kanë pasur një rritje pozitive gjatë 6-mujorit të parë me respektivisht 3% dhe 4.2%, të gjithë sektorët e tjerë prodhues kanë rezultuar me rënie nga më negativet, sic ishin tregtia me -16.1%, ndertimi me -13.8%, industria me -8.7%, etj, tek renie më të zbutura sic ishin aktivitetet e shërbimeve publike, shëndetësisë, informacionit e telekomunikacionit, me një kontraktim në rangun e 3% – 5%.

Ndërkohë, tkurrja e mprehtë e aktivitetit ekonomik është reflektuar në një masë të konsiderueshme në tregun e punës. Por edhe këtu duhet theksuar që së pari ky përkeqësim në tregun e punës duket të jetë mjaft më i zbutur se sa pritshmëritë fillestare për impaktin që mund të kishte në tregun e punës, dhe së dyti parashikohet të jetë i përkohshëm, pra pa shkaktuar probleme serioze strukturore në këtë treg. Konkretisht papunësia regjistroi 12.5% në tremujorin e dytë të vitit 2020, nga 11.6% në fund të vitit 2019, ndërsa punësimi u tkurr me rreth 4% krahasuar me fundin e vitit 2019.

Ndër fondamentet më kyçe makroekonomike, të cilat tipikisht në kriza të tilla priten të kenë probleme tejet të mëdha me pasoja serioze në stabilitetin makroekonomik të vendit, por që sic e përmenda më sipër, fatmirësisht deri më tani kanë qëndruar relativisht stabël, do të vecoja:

Pozicioni i jashtëm të ekonomisë, i cili ende mbetet relativisht solid. Patjetër që ka një zgjerim të deficitit të llogarisë korente, kryesisht për shkak të tkurrjes së fortë të flukseve hyrëse tipike nga turizmi, eksportet e mallrave dhe gjithashtu një rënie të ndjeshme të remitancave. Sidoqoftë, ky zgjerim i deficitit të llogarisë korente ka qenë relativisht i përmbajtur. Kjo pasi rënia e flukseve të huaja hyrëse në llogarinë korrente është kompensuar kryesisht nga frenimi i flukseve dalëse, dhe kjo përfshin kryesisht importet e mallrave dhe gjithashtu në një masë të konsiderueshme edhe frenimi i “importit të shërbimeve turistike”. Ulja drastike e numrit të qytetarëve shqiptarë që zakonisht konsumojnë shërbime turistike jashtë vendit, duket se ka luajtur rolin e një amortizuesi deri diku si në llogarinë rrjedhëse (bilancin e shërbimeve), ashtu edhe në zbutjen disi të nivelit të recesionit, duke rritur konsumin e shërbimeve turistike nga qytetarët shqiptarë brenda vendit. Për më tepër, pjesa e turistëve nga vendet fqinje që zakonisht udhëtojnë përmes tokës, siç janë turistët nga Kosova apo Maqedonia, apo edhe disa vende të tjera të Evropës Lindore që mund të udhëtonin me avionin në vendin tonë, duket se këtë vit kanë vijuar të vijnë në numër të lartë, madje dhe gjatë shtatorit. Pra këta elementë, kanë amortizuar disi ndikimin e lartë negativ që pritej në sektorin e turizmit dhe si pasojë në ekonominë në tërësi.

Në të njëjtën kohë sa i takon qëndrueshmërisë së pozicionit të jashtëm të ekonomisë si një fondament tejet i rëndësishëm dhe tipikishit vulnerabël në kriza të tilla, ka pasur zhvillime relativisht pozitive edhe në llogarinë financiare. Gjatë këtij viti, rënia e pritshme dhe e kuptueshme e flukseve hyrëse nga Investimet e Huaja Direkte (e cila pritet të jetë e tillë për të gjithë vitin) deri më tani është kompensuar nga rritja e flukseve hyrëse financiare, kryesisht në formën e huamarrjes së huaj të qeverisë. Me mbështetjen e partnerëve tanë si FMN, BE, BB, etj të cilët na kanë ardhur në ndihmë nëpërmjet instrumentave të kredive të buta (apo relativisht të buta) në një kohë relativisht të shpejtë, kemi arritur të injektojmë apo do të injektojmë më tej gjatë pjesës së mbetur të vitit një sasi të konsiderueshme fluksesh hyrëse monedhe të huaj(hard currency). Në këtë aspekt, padyshim që edhe emetimi i suksesshëm i eurobondit prej 650 milion euro përbën injektimin më të fortë në ekonomi të flukseve hyrëse në monedhë të huaj. Rrjedhimisht, ruajtja e qëndrueshmërisë së pozicionit të jashtëm të ekonomisë sonë është reflektuar në një rritje të rezervave valutore, ndryshe nga pritshmëritë fillestare që mund të kishte implikime serioze zinxhir në fondamentet e tjera të ekonomisë (kursin e këmbimit, qëndrueshmerinë e sistemit financiar, e kështu me rradhë). Në fakt, kemi patur një rritje të rezervave valutore e cila është reflektuar qartësisht edhe në tregun e këmbimit valuator, ku kursi i monedhës vendase ka qëndruar mjaft stabël ndaj monedhave kryesore të huaja.

Një tjetër fondament i rëndësishëm që gjithashtu ka qëndruar përgjithësisht mjaft stabël ka qenë sistemi financiar dhe aktiviteti i tij. Pavarësisht se nuk përjashtohet edhe ndonjë rritje në vijim të kredive të këqija si pasojë e efektit të pandemisë, deri më tani ky sektor nuk ka pasur asnjë problematikë serioze. Për më tepër, si kreditimi ashtu edhe depozitat në sistem kanë vijuar të rriten me ritme relativisht të mira, ku ndër të tjera efekt ka pasur dhe akordimi i dy garancive sovrane për biznesin privat në kuadër të paketave ndihmëse gjatë pandemisë apo shtyrja për një afat të caktuar të pagesave të kësteve të kredive. Po megjithatë, edhe e zhveshur nga këta faktorë, sërisht rritja e kreditimit ka qenë e qenësishme, që e shoqëruar edhe me rritjen e depozitave, e rrjedhimisht likuiditetit në sistem, padyshim që përbëjnë disa indikatorë të rëndësishëm inkurajues në kontekstin e këtyre goditjeve.

Qëndrueshmëria e financave publike përbën një tjetër fondament tejet të rëndësishëm për perspektivën e ekonomisë, ndoshta më të rëndësishmin për tipologjinë e ekonomisë shqiptare, si dhe në kontekstin e këtyre dy goditjeve.

Megjithëse përkeqësimin e pashmangshëm të parametrave kryesorë të financave publike gjatë këtij viti për shkak të pandemisë si dhe të pasojave të tërmetit, sërisht deri më tani duket se ky fondament ka qenë i qëndrueshëm, pa ndonjë problem serioz me pasoja sistemike zinxhir në stabilitetin makroekonomik të vendit.

Deri në shtator 2020, rezulton se ekzekutimi në tërësi i buxhetit është plotësisht brenda parametrave kryesorë (deficiti, borxhi, huamarrje neto) siç përcaktohet në rishikimin e fundit të ligjit vjetor të buxhetit. Sigurisht nga njëra anë kemi pasur një mungesë të konsiderueshme në të ardhura, krahasuar me objektivin e rishikuar, por nga ana tjetër kemi dhe kursime të pritshme në shpenzimet buxhetore, të cilat kompensojnë mungesën e të ardhurave e rrjedhimisht sigurohet ruajtja e limitit të deficitit buxhetor, si dhe likuiditeti i nevojshëm.

Për më tepër, me sigurimin e financimit të parashikuar për këtë vit, deri më tani, situata është përgjithësisht në përputhje me objektivat tona, si për sigurimin e huave nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare (mbështetja buxhetore nga FMN, BB, BE, ADF, etj.), si për sigurimin e Eurobondit si dhe, atë të huamarrjes në tregun e brendshëm. Në lidhje me ecurinë e huamarrjes në tregun e brendshëm mund të themi se ky element shënon gjithashtu një sinjal relativisht pozitiv në aspektin e kredibilitetit në qëndrueshmërinë e financave publike dhe indirekt të stabilitetit makroekonomik në tërësi. Më konkretisht, fakti që pavarësisht nga një huamarrje a-tipike e lartë dhe intensive që qeveria ka bërë gjatë 4-5 muajve të fundit, pothuajse të gjitha ankandet kanë qenë relativisht të suksesshme, me nivele mbulimi mbi 1, dhe ajo që është akoma më e rëndësishmja, deri më tani nuk ka pasur ndonjë rritje të normave të interesit në instrumentet e borxhit publik. Pra, ky përbën gjithashtu një sinjal informues lidhur me disa fondamente kryesore të ekonomisë, atë të perceptimit të tregut mbi qëndrueshmërinë e financave publike në njërën anë dhe, siç përmenda edhe më lart, atë të një sistemi financiar përgjithësisht solid dhe mjaft likuid nga ana tjetër. Në të njëjtën llogjikë, një matës tjetër më direkt i këtij fondamenti, pra pozicionit të financave publike, por edhe stabilitetit makroekonomik dhe perspektivës ekonomike në tërësi, është tregtimi i Eurobondit të shtetit shqiptar në bursat (tregjet financiare) ndërkombëtare, i cili u emetua mjaft suksesshëm përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti (pra në një kohë kur tregjet karakterizoheshin nga një pasiguri e lartë) në vlerën më të lartë se cdo Eurobond i mëparshëm prej 650 milionë euro me maturitet 7 vjeçar dhe normë interesi më të ulët se çdo Eurobond i mëparshëm prej 3.5%.

Në vitet e fundit financat publike kanë hyrë në një trajektore të sigurtë dhe optimale të konsolidimit fiskal, e materializuar në parametrat më kyç të qëndrueshmërisë. Së pari, kjo është materializuar në uljen e defiçitit të buxhetor nga 5% të PBB në 2013 në poshtë nivelit prej 2% deri në vitin e shkuar (2019). Po ashtu edhe borxhi publik ka njohur trajektore të qartë rënëse në vitet e fundit, deri përpara se vendi të goditej nga pandemia, duke rënë nga rreth 73% në vitin 2015 në rreth 66.3% në fund të 2019, megjithëse në atë vit vendi u godit edhe nga tërmeti. Po ashtu, që prej vitit 2016 e deri në 2019 buxheti ka regjistruar një balancë primare pozitive, gjë e cila nuk ndodhte pothuajse në asnjë vit gjatë tre dekadave të fundit (me përjashtim të 2010). Ndërkohë që balanca korente fiskale (pra raporti investime publike ndaj deficitit, apo “rregulli i artë” i buxhetit) ka qenë pothuajse gjithnjë dhe ka vijuar të mbetet pozitiv në çdo vit deri në 2019.

Ndërkohë kuptohet, në vitin aktual dhe në vitin e ardhshëm, si rrjedhojë e dy goditjeve të një pas njëshme që u përball vendi, defiçiti i përgjithshëm buxhetor do të zgjerohet në nivelet e 6 përqindëshit. Megjithatë, ky zgjerim i deficitit fiskal do të jetë krejt i përkohshëm dhe i targetuar mirë për të amortizuar impaktin e dy goditjeve. Ndërkohë objektivi themelor për periudhën afatmesme, në përputhje të plotë edhe me rregullat fiskalë në ligjin organik të buxhetit, do të jetë rikthimi në një trajektore rënëse të borxhit publik duke targetuar si objektiv operativ vjetor rikthimin e buxhetit në një balancë primare të balancuar (pra zero) ose me suficit mundësisht që prej vitit 2022, por domosdoshmërisht prej vitit buxhetor 2023 dhe në vijim. Që prej korrikut 2020 ky objektiv tashmë është sanksionuar edhe në LOB nëpërmjet përfshirjes së një rregulli të ri fiskal, i cili është mirëpritur si një zhvillim mjaft pozitiv nga të gjithë institucionet relevante ndërkombëtare.

Njëkohësisht, në afatin e mesëm në vijim synohet dhe programohet ruajtja e një niveli të investimeve publike në rreth 5 % të PBB në vitet 2021-2023, esenciale kjo për të mbështetur nivele relativisht të larta rritjeje në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Për sa i përket objektivit primar të konsolidimit fiskal ose thënë ndryshe të uljes së borxhit publik, treguesit e buxhetit 2021 janë si më poshtë:

Defiçiti fiskal prej 6.5% e PBB, në ulje krahasuar me të pritshmin e 2020 prej 6.8% të PBB;
Balanca Primare edhe pse sërisht e parashikuar në vlerë negative prej minus 3.9% të PBB në vitin 2021, gjithsesi është me përmirësim të konsiderueshëm krahasuar me nivelin e pritshëm prej -4.6% të fundvitit 2020;
Balanca korrente (diferenca midis investime publike dhe deficit fiskal) rikthehet në shifra pozitive që në vitin e ardhshëm 2021, në nivelin prej 0.8% të PBB nga një nivel i pritshëm negativ prej -0.3% këtë vit.
Për rrjedhojë, niveli i borxhit publik do t’i rikthehet qartësisht trajektores rënëse në vitin 2021 me një vlerë rreth 78.6% të PBB nga rreth 80.9% që pritet në vitin 2020, pra duke u rikthyer sërisht edhe ky parametër në përputhje me përcaktimet ligjore.

Rrjedhimisht, bazuar në c’ka përmenda më sipër, vlerësojmë se ekzistojnë premisat e duhura për një rekuperim të rritjes ekonomike, që prej vitit të ardhshëm, duke supozuar së pari, që evoluimi i pandemisë nuk do të jetë më intensiv se sa është aktualisht dhe veçanërisht nëse do të kishte një vaksinë brenda këtij viti apo fillim vitit tjetër. Së dyti, duke marrë në konsideratë që fondametet kryesore të ekonomisë nuk do të pësojnë ndonjë goditje problematike, presim që rritja për 2021 të rikthehet në nivelin e rreth +5.5% dhe më pas të konvergojë dhe stabilizohet afër nivelit + 4% (nivel i cili ne vlerësojmë është dhe rritja potenciale e ekonomisë sonë për periudhën afatmesme në vijim).

Rritja ekonomike përgjatë periudhës 2021-2023 pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet. Ndërkohë kërkesa e huaj neto (eksport – import) pritet të ketë pothuajse një efekt neutral. Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Këto të fundit priten të transmetohen në një rritje graduale të pagave që do të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit.

Kjo ri-marrje e rritjes ekonomike e parashikuar për 2021, pritet të reflektohet edhe në tregun e punës, duke gjeneruar më shumë punësim dhe rënie të nivelit të papunësisë në 12.2% në 2021 krahasuar me 13.9% që pritet në fund të vitit 2020.

Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të arrijnë 479 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 437 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 311 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 99,7 miliard lekë.

Krahasuar me të pritshmin e vitit 2020, të ardhurat gjithsej të buxheti të shtetit rriten 10.6 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të rriten 12.2 % ose +37.1 miliard lekë, dhe 2.5% krahasuar me vitin 2019, ndërkohë që rritja mesatare për vitet 2018 dhe 2019 ka qenë 3.5%

Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” parashikohet të jetë 143.5 miliardë lekë, 15.4 miliardë lek ose 12% më shumë se pritshmëria për vitin 2020. Burimet e rritjes së TVSH-se në vitin 2020 do të jenë:

TVSH-së që do të gjenerohet si rezultat i rritjes ekonomike;
TVSH nga rritja e volumit të importeve dhe konjuktura e çmimeve ndërkombëtare;
TVSH nga përmirësimi i administrimit, lufta ndaj informalitetit dhe kontrolli i zinxhirit të transaksioneve ndërmjet operatorëve.
Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” vlerësohen me rritje 19.2% ose 5.3 miliardë lekë më shumë se viti 2020, pra parashikohet të arkëtohen 33 miliardë lekë. Rritja e parashikuar në tatimin mbi fitimin bazohet:

në rikuperimin e ekonomisë dhe rritjen e saj, çka do reflektohet edhe në deklaratat e tatimpaguesve;
në forcimin e kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut;

Shpenzimet Buxhetore për vitin 2021 të programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB, me rritje në terma nominalë me rreth 8 miliardë lekë krahasuar me Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2020, do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat të marra së bashku garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit në periudhën 2021-2023 e përtej duke gjeneruar njëkohësisht punësim të qëndrueshëm.

Shpenzimet e Personelit për vitin 2021, të parashikuara në masën 92.1 miliardë lekë ose 5.5% e PBB, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave për dy sektorët prioritarë shëndetësi dhe arsim. Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 8 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 40% për punonjësit shëndetësor, me një vlerë prej 4.5 miliardë lekë dhe rritjen e pagës për funksion me 15% për punonjësit mësimor të sistemit arsimor parauniversitar me një vlerë prej 3.5 miliardë lekë.

Nga kjo politikë e re e rritjes së pagave përfitojnë:

4,650 Mjekë në kujdesin parësor dhe dytësor;
13,765 Infermierë dhe Laborantë;
35,883 Mësues të Arsimit Parauniversitar
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2021 janë parashikuar në masën 45.9 miliardë lekë ose rreth 2.7% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si skema e fermerëve, programet e nxitjes së punësimit, mirëmbajtja e aseteve rrugore kombëtar dhe infrastrukturës IT, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe zhvillimi i sportit. Gjithashtu, si politikë e re për vitin 2021 është miratuar dhe një fond prej 1 miliardë lekësh në formën e skemës së mbështetjes së fermerëve përmes përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 43.8 miliardë lekë ose 2.6% të PBB. Në këtë shumë përfshihet dhe një fond kontingjent prej 4.5 miliardë lekë ose 0.3% e PBB për të përballuar çdo risk të mundshëm të rritjes së normave të interesit.

Subvencionet janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke pësuar një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë. Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare. Këtë vit rritja e subvencionit i dedikohet e gjitha programeve të nxitjes së punësimit, politikë e nisur në fund të vitit 2020.

Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve janë planifikuar në vlerën prej 193.97 miliardë lekë ose 11.5% e PBB në vitin 2021:

Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2021 parashikohet në masën 144.6 miliardë lekë ose 8.6% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 2.4 miliardë lekë. Dëshiroj të theksoj këtu se kjo skemë ka një varësi gjithnjë e më të ulët nga transferta e buxhetit qëndror, e cila për vitin 2021 pritet të ulet në masën 41.6% të totalit, dukshëm më ulët se niveli i regjistruar në vitin 2013 prej 46.6% të totalit.

Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2021 janë parashikuar në masën 46.3 miliardë lekë ose 2.8% e PBB nga 43.8 miliardë lekë të pritshme për t’u realizuar në vitin 2020.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total në masën 3 miliardë lekë ose 0.2% e PBB.

Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë:

Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë, duke ruajtur kësisoj të njëjtin nivel me vitin e kaluar, në mënyrë që të akomodohen më së miri nevojat që kanë lindur si pasojë e efekteve negative që shkaktoi pandemia e COVID-19 në punësim.
Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 22.2 miliardë lekë ose 1.3% e PBB, duke pësuar një rritje nominale me 1.2 miliardë lekë. Kjo rritje, ndjek të njëjtën logjikë të përdorur dhe për fondin e pagesës së papunësisë, pasi efektet negative e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 janë ndjerë më shumë nga shtresat vulnerabël, të cilat rrjedhimisht kërkojnë një vëmendje të shtuar nga politikat buxhetore.
Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë ose 0.1% e PBB.
Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë ose 0.1% e PBB. Ky fond pritet të financojë rreth 30 mijë familje përgjatë vitit 2021.
Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2021, planifikohet në masën 4 miliardë lekë, përkatësisht 2 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave, 1 miliardë lekë fond kontigjence për mbështetjen e procesit zgjedhor dhe 1 miliardë lekë fond rezervë për studime dhe projektime për projektet e investimeve publike strategjike që lidhen me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të planifikuar nga BE për Ballkanin Perëndimor.

Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 28 miliardë lekë). Kjo shifër është dukshëm më e lartë se vlera prej 87.8 miliardë lekë e parashikuar në Aktin Normativ të buxhetit të vitit 2020. Në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu, si edhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.

Për sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë dëshiroj ta filloj me Arsimin ku synojmë të mbajmë një nivel konstant në raport me PBB prej mbi 3% përgjatë periudhës 2021-2023. Përveç rritjes së pagave të parashikuar për mësuesit në janar të vitit 2021, në këtë sektor do të financohet me përparësi:

Arsimi Parauniversitar:

Dhënia e teksteve shkollore falas për klasa 1-7 si dhe në vitin 2021 për klasat e 8-ta dhe 9-ta dhe kompensimi, në masën 100 % fëmijëve që vijnë nga familje që i përkasin shtresave vulnerabël dhe minoriteteve;
Sigurimi i transportit të 30-32 mijë nxënësve për ndjekjen e arsimit parashkollor dhe bazë dhe rreth 9-12 mijë mësuesve që mësojnë dhe punojnë në distancë dhe mbulimi 100% i shpenzimeve të transportit me fonde të buxhetit;
Projekte për ndërtime të reja dhe rikonstruksione për rreth 130-150 objekte arsimore, ku parashikohet të përfitojnë 50,000- 60,000 nxënës dhe 4 500-5 500 mësues dhe edukatorë.
Arsimi i lartë:

Garantimi i aksesit në bazë të meritës dhe rritja e dimensionit social në arsimin e lartë duke mbështetur me bursë financiare 16% deri 18% të studentëve të ciklit të parë dhe të dytë dhe në përputhje me parimet e barazisë gjinore;
Rritja e cilësisë së mësimdhënies nëpërmjet kualifikimit shkencor të stafit akademik me 5% deri 10% në vit dhe nëpërmjet rritjes së numrit të stafit akademik me kohë të plotë duke synuar uljen e raportit pedagog/student në 1/24;
Pakti për Universitetet përmes financimit me përparësi për ngritjen e infrastrukturës dhe investimeve në kampuset universitare.
Shëndetësia, ku financimi do të mbetet në nivelet 3% mesatarisht për periudhën 2021-2023, ku përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët do të synohet:

Mbulimi universal i popullsisë me shërbim shëndetësor duke parashikuar 6.4 milionë numër vizitash në periudhën 2021-2023, mbështetur në treguesit e sëmundshmërisë.
Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë (check-up) për mesatarisht 475 mijë pacientë në vit;
Trajtimi me recetë rimbursimi i mesatarisht 400 mijë pacientëve në vit, përgjatë periudhës 2021-2023.
Rritja e numrit të pacientëve të trajtuar nga 320 mijë pacientë në vitin 2020 në 340 mijë pacientë në vitin 2023;
Bujqësia, do të vazhdojë të përfitojë në terma realë 0.8% të PBB për periudhën 2021-2023 ku synohet:

Rritja e % së fermerëve që përfitojnë nga përmirësimi i infrastrukturës ujitëse dhe kulluese ndaj totalit të fermerëve në sipërfaqen potencialisht të ujitshme nga 68% në vitin 2020, në 73.6% në vitin 2023;
Përqindja e sipërfaqes ujitëse ku fermerët kanë akses për ujë për ujitje, kundrejt sipërfaqes potencialisht të ujitshme (360 000 ha) nga 68% në vitin 2020, në 73.6% në vitin 2023;
Shtimi i numrit të përfituesve nga skema e masave mbështetëse në bujqësi nga 2300 përfitues në vitin 2020 në 2400 përfitues në vitin 2021, 2450 përfitues në vitin 2022 dhe 2500 përfitues në vitin 2023.
70 mijë fermerë të regjistruar përfitues potencial nga skema e përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe karbonit.
Në infrastrukturë synohet:

Kompletimi i Rrugës së Arbrit dhe fillimi i projektit të ndërtimit të Tunelit të Llogarasë;
Avancimi i punimeve në segmentet rrugore si: Kardhiq – Delvinë, By – Pass Shkodër, By – Pass Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës;
Kompletimi i segmenteve rrugorë brenda 2021 me financim të huaj si: By Pass i Vlorës, Qukës – Qafë Plloçë;
Vënia në funksion e Aeroportit të Kukësit si dhe ndërtimin e Aeroportit të Vlorës;
Jo pa qëllim, kam lënë në fund dy prioritetet e ardhura si pasojë e dy fatkeqësive natyrore që goditën vendin tonë:

Rindërtimi
Në projektbuxhetin e vitit 2021 parashikohen 28 miliardë lekë për përballimin e procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Krahas kësaj shume të konsiderueshme që përballohet nga buxheti i shtetit, gjatë 2021 është parashikuar dhe një fond prej 1.5 miliardë lekë për përballimin e bonusit të qerasë për familjet e mbetura të pastreha nga kjo fatkeqësi. Krahas 34 miliardë lekë të parashikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit 2020 dhe 6 miliardë të parashikuar në vitin 2022, buxheti i rindërtimit do të mundësojë:

3470 banesa individuale;
4646 banesa kolektive;
145 objekte arsimore;
Si dhe gjithë infrastrukturën shoqëruese të nevojshme për vënien në funksion të plotë të tyre (ujësjellës-kanalizime, energji elektrike, rrugë lidhëse & urbane etj.)

Përballimi i situatës së shkaktuar nga COVID-19
Në kuadër të pandemisë COVID – 19 Qeveria Shqiptare alokoi për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale një buxhet të dedikuar të menaxhimit të epidemisë në forcimin e sistemit shëndetësor në vlerën 2.4 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për vitin 2020. Kësaj shume i shtohen edhe rreth 507 milion lekë ndihma kryesisht nga organizata ndërkombëtare në pajisje mjekësore, materiale mbrojtëse dhe medikamente.

Prej më shumë se 6 muajsh sistemi shëndetësor arritur të menaxhojë deri më tani përballjen me COVID – 19 falë punës së ekipit mjekësor dhe investimeve të kryera nga qeveria dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Për vitin 2021, kostoja totale e prioriteteve për përballimin e pandemisë COVID-19 që do të financohet nga buxheti është rreth 6 miliardë lekë, ku përfshihet dhe kosto e parashikuar për vaksinën anti-COVID (COVAX), dhe do të garantojë një menaxhim sa më të mirë dhe efikas të pandemisë COVID 19 (këtu nuk përfshihet kostoja e rritjes së pagave me 40% për stafin mjekësor).

Për të kaluar tek Shpenzimet për Buxhetin Vendor ku decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore, vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e qeverisë dhe reformat e ndërmarra deri më tani priten të kenë impaktin më të madh në organizimin e administratës publike vendore në funksion të rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimeve publike vendore. Në vijim të reformës administrativo-territoriale janë bërë refoma të thella në drejtim të menaxhimit financiar në nivel vendor. Qeveria Shqiptare ka miratuar dhe po zbaton një program ambicioz decentralizimi. Mbështetja që ka dhënë qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra, por edhe rritja e konsiderueshme e nivelit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore ka bërë të mundur që pesha e buxhetit vendor të rritet nga 2.1% e PBB-së në vitin 2013 në 3.3% të PBB-së në vitin 2021.

Gjithashtu, përmes buxhetit të vitit 2021, do të vazhdojë mbështetja financiare për reformën në arsimin parashkollor me synim konsolidimin e një skeme financimi të përshtatshme dhe efektive që synon përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve.

Në buxhetin e vitit 2021, fondet e pagave për edukatoret ndahen kryesisht mbi bazën e numrit të fëmijëve. Më specifikisht, 60% e fondeve për pagat e edukatoreve ndahen mbi bazën e numrit të fëmijëve (me moshë 3-6 vjeç) dhe 40% mbi bazën e numrit të edukatoreve.

Dëshiroj të sjellë në vëmendje që nga politika e rritjes së pagave për arsimin parauniversitar përfitojnë dhe stafi mësimor i arsimit parashkollor duke garantuar nga buxheti i shtetit rritjen e pagës për funksion në masën 15 % dhe për edukatoret-mësuese tashmë të decentralizuara dhe transferuara në qeverisjen vendore.

Në buxhetin e vitit 2021, njësive të vetëqeverisjes vendore u është akorduar një fond për mbrojtjen civile prej 500 milion lekë. Ky fond është shpërndarë me një formulë e cila bazohet në peshën specifike që zë buxheti i çdo bashkie ndaj totalit të buxhetit të të gjitha bashkive. Pjesën tjetër të fondit bashkitë mund ta sigurojnë nëpërmjet përdorimit të fondit rezervë dhe të kontigjencës ose/dhe pjesë nga buxhetet e tyre (transferta e pakushtëzuar dhe të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore). Ky fond i akorduar njësive të vetëqeverisjes vendore së bashku me fondin që këto do të adresojnë përbën fillimin e një reforme të rëndësishme për mbrojtjen civile.

Lidhur me risqet buxhetore që shoqërojnë projektbuxhetin 2021 dhe mitigimin e tyre:

Detyrimet e Prapambetura, ku në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2020 rezultoi 6.81 miliard lekë, me ulje prej rreth 4.3% krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti. Vlen për t’u përmendur këtu se një pjesë e konsiderueshme prej rreth 57.8 % e këtij stoku detyrimesh i referohen detyrimeve për vendime gjyqësore.

Vlen për t’u theksuar se tashmë monitorimi i detyrimeve të prapambetura është një proçes i konsoliduar në kohë dhe cilësi, përmes monitorimit periodik intensiv të të gjitha detyrimeve të pashlyera të institucioneve buxhetore. Duke nisur nga muaji Dhjetor 2020, ky monitorim dhe raportim i cili më parë kryhej mbi bazë tremujore nëpërmjet raportimit shkresor të institucioneve do të gjenerohet automatikisht nga Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ). Ky ndryshim bëhet në funksion të intensifikimit të rolit mbikqyrës të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në këtë drejtim dhe monitorimin në kohë të ecurisë së detyrimeve të prapambetura, me qëllim zerimin e tyre në një periudhë sa më të afërt të mundshme.

Ekspozimin e buxhetit ndaj pagesave të PPP aktive, ku për vitin 2021 ky ekspozim do të jetë dukshëm brenda limitit ligjor prej 5% të totalit të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës, duke mbajtur një trend të lehtë rritës nga 3.3% të regjistruar në 2019 në 3.7% në vitin 2021. Vlen të theksohet se ky raport parashikohet në ulje përgjatë 2022 (3.5%) dhe 2023 (3.2%) duke shtuar më tej nivelin e sigurisë për respektimin e këtij rregulli të rëndësishëm fiskal.

Së fundmi, lidhur me huamarrjen e re për të financuar defiçitin buxhetor, theksoj se do të jetë në nivelin prej rreth 63.5 miliardë lekë e cila do të konsistojë në huamarrje në tregun e brendshëm prej 49.9 miliardë lekë dhe huamarrje e huaj prej 13.6 miliardë lekë.

Pavarësisht nivelit relativisht të lartë të huamarrjes së brendshme të planifikuar për vitin 2021, duke konsideruar nivelin e kënaqshëm të kërkesës, si edhe interesin që paraqet investimi në titujt afatgjatë për shkak të normave më të favorshme krahasuar me titujt afatshkurtër, huamarrja e re pritet të vijojë të realizohet kryesisht nëpërmjet titujve shtetërorë afatgjatë në përputhje me objektivat për reduktimin e risqeve.

Huamarrja e huaj do të të realizohet nëpërmjet disbursimit të huave që financojnë ecurinë e zbatimit të projekteve prioritare të qeverisë. Gjithashtu, pritet të ketë edhe disbursime të huave në formën e mbështetjes buxhetore nga kreditorë multilateral, në kuadër të mbështetjes së Republikës së Shqipërisë në zbutjen e efekteve të krijuara nga pandemia COVID-19 dhe në kuadër të mbështetjes së reformave të qeverisë.

Duke marrë në konsideratë vijimin e politikave monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, normat e interesit të titujve shtetërorë në tregun e brendshëm pritet të jenë të qëndrueshme dhe në nivele të krahasueshme me normat aktuale.

Për sa i përket tendencës së normave të interesit në tregjet e huaja, bazuar në deklaratat dhe vendimet e fundit të Rezervës Federale dhe Bankës Qendrore Europiane, këto institucione do të vijojnë ndjekjen e politikave monetare lehtësuese të paktën deri në fund të vitit 2020, duke bërë që të ketë pritshmëritë për qëndrueshmëri të normave të interesit edhe përgjatë vitit 2021.

Nga pikëpamja e kompozimit të borxhit, pritet të ketë një rritje në favor të borxhit të denominuar në valutë vendase, duke qenë se huamarrja e brendshme planifikohet të jetë ndjeshëm më e lartë se huamarrja e huaj.

Marrë nga Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto