Dalin shifrat/ Familjet e reja shpenzojnë më pak për ushqime, por ja ku harxhojnë shumë

Më shumë se një e pesta e shpenzimeve nga familjet e reja shkon për të siguruar banesën. Sipas të dhënave të INSTAT të publikuara në Anketën e Buxhetit të Familjeve 2018, rreth 22.6% e shpenzimeve e familjeve me kryefamiljar deri në 24 vjeç, ishin për banesë, duke mbajtur kështu rekord krahasuar me familjet, ku kryefamiljari ka një moshë më të madhe.  Në të njëjtën kohë familjet me kryefamiljar të ri kanë shënuar peshën më të ulët të shpenzimeve për sa i përket ushqimeve, me vetëm 26.9%.

Ndërkohë që në vend të tretë për nga pesha renditen shpenzimet për arsim, ku sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, pesha e tyre gjatë 2018-s ishte 15%.

Një peshë të konsiderueshme kanë edhe shpenzimet për restorante, ku rreth 9.6 të totalit të shpenzimeve familjet me kryefamiljarë të rinj i kanë pasur për këtë kategori. Ndërkohë që kanë shënuar shpenzimet më të ulëta për shëndet me vetëm 0.5% të totalit, për transport me një peshë prej 2.5%, pije alkoolike dhe duhan me 2.8%.

Në ndryshim nga të rinjtë, familjet me kryefamiljarët më të rritur kanë një peshë më të lartë të shpenzimeve për ushqim, ndërsa shpenzimet për banesë, arsim dhe restorante janë më të ulëta.

Kështu, një familje me kryefamiljarin me moshë 35-44 vjeç, shpenzon për ushqime 43.5% të totalit të shpenzimeve për ushqime, rreth 11.1% të tyre për banesë, rreth 2.7% për arsim, dhe 5.1% për restorante. (shiko tabelën) Ndërsa shpenzimet më të ulëta i kanë pasur për shëndetësi, ku në 2018-n zinin rreth 3% të totalit të shpenzimeve.

Anketa e Buxhetit të Familjes u krye për herë të parë në vitet 1999-2000 dhe ishte përfaqësuese vetëm për zonat urbane, për të vazhduar më pas në vitet 2006-2007, 2008-2009 dhe që nga viti 2014 e vazhdueshme. Nga viti 2006-2007 anketa është gjithëpërfshirëse për të gjithë territorin e Shqipërisë duke përfshirë zonat urbane dhe rurale si dhe me përfaqësim në nivel qarku. Anketa e Buxhetit të Familjes 2018 u krye nga INSTAT përgjatë gjithë vitit, me një kampion prej 9.384 NjEF. Në përfundim të vrojtimit u intervistuan rreth 7.559 NjEF të shpërndara në mënyrë uniforme në të gjithë territorin e Shqipërisë.

 

Ju mund të pëlqeni dhe këto