COVID-19, BB: Do rritet numri i shtretërve, 12.6 për 100 mijë banorë

Kriza e COVID-19 ka detyruar vendet që të shohin mundësitë për të rritur numrin e shtretërve në spitalet e tyre, nën frikën se vala e pandemisë mund të rrisë numrat në mënyrë të shpejtë duke vënë nën presion sistemin shëndetësor. Shqipëria duket se nuk bën përjashtim nga kjo tendencë. Detajet zbardhen në projektin që është dorëzuar pranë Bankës Botërore, për të cilin u kërkua fillimisht një shumë 16.2 milionë dollarë, por pas detajimit të komponentëve ka rezultuar 16.6 milionë dollarë.

Në një pjesë të përshkimit të këtij projekti parashikohet se Shqipëria synon të çojë numrin e shtretërve për sëmundjet infektive  dhe specifikisht për COVID-19 në 12.6 shtretër për 100 mijë banorë, kur sot ky raport është 10.7 për 100 mijë banorë.

“Banka Botërore do të vazhdojë të punojë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të vlerësuar nevojën e forcimit të kapaciteteve të sistemit shëndetësor që mund të vijë si rrjedhojë e ecurisë së situatës në Shqipëri. Investimet në kapacitetin e sistemit shëndetësor për të identifikuar, për të testuar dhe për të trajtuar rastet me COVID-19 pritet që të forcojnë kapacitetin e sistemit për ofrimin e shërbimeve rutinore dhe për krizat e ardhshme shëndetësore.

Rritja e planifikuar e shtretërve e do rrisë numrat nga 10.7 në 12.6 shtretër për 100,000 banorë, një numër që është në përputhje edhe me vende të Bashkimit Europian kur i krahason siç është për shembull Italia me 12.5 shtretër për 100 mijë banorë, edhe pse shifër më e ulët se Gjermania me 29.2 shtretër për 100 mijë banorë. Sapo të kalojë kriza pandemike, shtretërit ekstra do të shpërndahen nga Klinika e Sëmundjeve Infektive në njësitë e tjera të rrjetit tercial të spitaleve. Asnjë laborator i ri për virologji nuk po ndërtohet; përkundrazi, projekti po investon në rritjen e kapacitetit të rrjetit ekzistues të laboratorëve” thuhet në dokument.

I njëjti ndalet edhe në komponentët që do të ketë projekti, ku i pari është mbështetja e sektorit shëndetësor dhe përgjigjes së menjëhershme ndaj COVID-19 në afatmesëm me një 16.14 milionë dollarë. Pjesë e tij janë dy nën komponentë, ku i pari lidhet me identifikimin e rasteve, sistemin e ndjekjes së tyre dhe të kontakteve. I dyti parashikohet të forcojë kapacitetet e trajtimit të atyre që tashmë janë prekur. Komponenti i dytë është menaxhimi i projektit që do të zbatohet nga njësia qendrore e tij me një kosto 0.56 milionë dollarë.

Ju mund të pëlqeni dhe këto