Borxhi publik, Ahmetaj: “Në vitin 2019 do ulet në 64.9 %, të regjistrohen pronat dhe taksat jo kuturu”

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, është ndalur tek parashikimet mbi borxhin publik, sipas të cilit ai do të ulet në 64.9% për vitin e ardhshëm.

Po ashtu, Ahmetaj përsëriti faktin se pushteti vendor e ka për detyrë ligjore për të përditësuar të dhënat në platformë për çdo ditë dhe nëse ndodh e kundërta, ata do të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Duke folur në  Këshillin Konsultativ  për buxhetin 2019 të pushtetit vendor, Ahmetaj shtoi se vëmendja është tek taksa e pronës, kjo sipas sipërfaqes së disponueshme. Ministri pohoi se sot janë 600 mijë prona të detajuara në Shqipëri, por qëllimi është që të identifikohen  edhe 600 mijë të tjera, me qëllim regjistrimin dhe taksimin e drejtë mbi bazën e sipërfaqes.

Ndërkohë ministri u ndal edhe tek forma se si do të mblidhen të ardhurat  nga taksat. Sipas tij, nuk do të jetë më OSHEE, por pushteti vendor, i cili duhet të hartojë  politikat dhe instrumentet e saj. Ministri i Ekonomisë dhe Financave iu drejtua në formë të prerë drejtuesve vendorë, të cilëve iu kërkoi që deri në 1 janar të kenë përcaktuar agjentët për të mbledhur taksat.

“Nga muaji maj morën një tur në të gjithë vendin. Dua të them se kemi  patur më shumë rezultate.  Buxheti vendor  është shumë i rëndësishëm  për qytetarët.  Tiparet e buxhetit: Deficiti buxhetor është më i ulët i targetuar në dy dekadat e fundit. Investimet publike do të jenë deri në 5 për qind  të prodhimit të brendshëm bruto.  Borxhi publik pritet të ulet në 64.9 për qind.  OSHEE të mos jetë agjenti i mbledhjes, por ju të keni  agjentët tuaj dhe instrumentet e taksës. Platforma e vlerësimit do të jetë unike. Pushtetet vendore do të jenë të detyruar, që të përmirësojnë informacionin në platformë ditë pas dite e muaji pas muaji. Nëse sot janë 600 mijë prona të detajuar, do të duhet të paktën edhe 600 mijë të tjera të detajohen. Në mënyrë që ju mos t’i taksoni kuturu, por të shkojnë  tek qeliza  dhe tek metri katror. Kjo do na ndihmojë për të regjistruar pronat dhe banesat”, tha ministri.

Ju mund të pëlqeni dhe këto