BERZH: Arsyet pse e zhvlerësuam rritjen e Shqipërisë në vitin 2021

Intervistë me Peter Tabak, ekonomist i lartë rajonal dhe Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Shqipëri

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka mbajtur të pandryshuar pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit në vitin 2019, për një rënie prej -9%, ndërsa ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike vitin e ardhshëm, duke zbehur shpresat për një rikuperim të shpejtë.

Sipas “Perspektivës Ekonomike Globale në rajonet e BERZH”, ekonomia shqiptare, pas rënies me 9% në vitin 2020 pritet që të rritet me vetëm 4.5% në vitin 2021. Në raportin e muajit maj, ekonomia shqiptare parashikohej që do të rimëkëmbej me shpejtësi me 12% në 2021, ndërsa tashmë ky vlerësim është ulur me 7.5 pikë përqindje. Ky është rishikimi më i madh në ulje jo vetëm për vendet e Ballkanit, por për të gjithë rajonin e BERZH.

Në një intervistë të përbashkët për “Monitor”, z. Peter Tabak, ekonomist i lartë rajonal dhe z. Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Shqipëri, pohojnë se arsyeja kryesore e këtij zhvlerësimi të lartë lidhet me varësinë nga turizmi dhe eksportet me Italinë, të cilat u goditën shumë në valën e parë. Edhe treguesit e rinj ekonomikë, që sugjerojnë një rritje më të ngadaltë, sesa mendohej në rishikimin e majit.

Por, ekonomistët e lartë të Bankës Botërore pohojnë se ky është momenti për të shqyrtuar se si kriza mund të kthehet në mundësi. Ata rekomandojnë që vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë nga shkurtimi i zinxhirëve globale të tregtisë, nëse ofrojnë kushtet e duhura për biznes. Kjo mund të ndodhë nëse furnitorët e largët do të zhvendoseshin ose zëvendësoheshin me ata që ndodhen gjeografikisht më afër prodhuesve në Europë.

BERZH ka mbajtur parashikimin prej -9% për ekonominë shqiptare. Cilat janë arsyet?

Rikthimi i valës së dytë të pandemisë, edhe pse nuk pati një mbyllje si në pranverë, i mbajti pritshmëritë e rritjes të ulëta për turizmin (i cili normalisht përbën më shumë se një të pestën e PBB së vendit), tregtinë e jashtme dhe remitancat nga shqiptarët jashtë vendit.

Të dhënat e disponueshme tregojnë se PBB ra me 2.5 për qind në tre mujorin e parë të 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, kryesisht si pasojë e tkurrjes së investimeve dhe rritjes së ngadaltë të konsumit. Në periudhën e mbylljes më të rreptë (Mars-Maj 2020) eksportet e mallrave drejt Italisë ranë mbi 40% në krahasim me vitin e shkuar. Në përgjithësi eksporti i mallrave në shtatë muajt e parë të 2020 ishte 17% më pak se vitin e shkuar.

Në një zhvillim negativ, BERZH ka ulur ndjeshëm pritshmëritë për rritjen ekonomike më 2021, me -7.5 pikë përqindje, duke e zbritur në 4.5%. Pse ka ndodhur ky zhvlerësim?

Parashikimi ynë i parë u përgatit në Maj dhe në atë kohë ne nuk konsideruam efektet e një vale të dytë të pandemisë. Parashikimi për vitin e ardhshëm është kryesisht i ndikuar nga ndryshimi i pritshmërive për kohën e rimëkëmbjes nga pandemia dhe treguesit e rinj ekonomikë që sugjerojnë një rritje më të ngadaltë.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka zhvlerësimin më të madh për 2021. Cilat janë arsyet?

Shqipëria mund të preket shumë nga pandemia, si pasojë e varësisë nga turizmi dhe eksportet me Italinë, të cilat u goditën shumë në valën e parë. Masat parandaluese vendase dhe ndërkombëtare e kanë prekur ndjeshëm turizmin në të gjithë botën. Ne presim një recesion në 2020-n, të ngjashëm me atë në Kroaci, Greqi dhe Malin e Zi, që janë gjithashtu shumë të varura nga turizmi.

Kriza po rezulton se po godet më shumë të vegjlit dhe po nxjerr më në pah dobësitë strukturore të vendit. Çfarë duhet të bëjë qeveria për të ndihmuar në rimodelimin e ekonomisë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm?

Pikërisht, bizneset e vogla dhe ato që punojnë në ekonominë informale ishin ata që u goditën më shumë. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor predominohen nga një numër i madh biznesesh të vogla të cilat janë më pak konkurruese se bizneset e mëdha.

Përmirësimi i qasjes në financime për bizneset e vogla dhe të mesme si dhe konsulenca në hartimin e strategjive, marketingut, operacioneve, menaxhimit të cilësisë, eficencës së energjisë apo menaxhimit financiar janë elemente kyçe që mund t’i ndihmojnë me rritje dhe eficencë më të lartë. Kjo është gjithashtu në thelb të asaj që BERZH bën përmes instrumenteve të ndarjes së riskut me bankat tregtare për të çliruar kredidhënien për bizneset e vogla dhe të mesme dhe përmes programit për Këshillim të Bizneseve të vogla.

Si do ta ndikojë pandemia procesin e konvergjencës së Shqipërisë dhe vendeve te tjera të Ballkanit. Nëse keni ndonjë vlerësim sa mund të zgjatet ky proces?

Recesioni këtë vit do të ngadalësojë zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor por nuk do të ngadalësojë domosdoshmërisht procesin e konvergjencës sepse vendet e Eurozonës po përballen gjithashtu me një recesion të madh. Pyetja më e rëndësishme është sa shpejt do të rimëkëmben vendet e Ballkanit Perëndimor? Kjo varet ndër të tjera nga rimëkëmbja e tregjeve kryesore të eksportit në BE por edhe nga reformat ekonomike lokale që e bëjnë mjedisin e biznesit më tërheqës për investitorët.

Pandemia tregoi sesa të ndjeshëm janë zinxhirët globalë të vlerës ndaj furnitorëve të largët kështu që mund të ketë mundësi në të ardhmen nëse disa nga këta furnitorë të largët do të zhvendoseshin ose zëvendësoheshin me ata që ndodhen gjeografikisht më afër prodhuesve në Europë. Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë nga kjo nëse ofrojnë kushtet e duhura për biznes.

Kriza si mundësi

Pandemia tregoi sesa të ndjeshëm janë zinxhirët globalë të vlerës ndaj furnitorëve të largët kështu që mund të ketë mundësi në të ardhmen nëse disa nga këta furnitorë të largët do të zhvendoseshin ose zëvendësoheshin me ata që ndodhen gjeografikisht më afër prodhuesve në Europë. Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë nga kjo nëse ofrojnë kushtet e duhura për biznes.

Si do t’i vlerësonit masat e deritanishme të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Shqipërisë për të përballuar krizën?

Qeveria ka ndërmarrë dy paketa të mbështetjes ekonomike me vlerë sa 2.8 për qind e PBB-së. Paketat konsistojnë kryesisht në rritjen e shpenzimeve qeveritare, garanci sovrane dhe pagesa sociale.

Këto masa janë të nevojshme për të parandaluar efektet e menjëhershme negative të krizës por masat afatgjata do të jenë thelbësore për tejkalimin e saj. Lufta ndaj informalitetit dhe konkurrenca e drejtë (fair play) për kompanitë private janë ndër masat më të rëndësishme për tu marrë, përfshirë thjeshtimin e sistemit të taksave dhe procedurave, rritjen e kapaciteteve në administratën publike, mbështetjen e mëtejshme dhe incentiva për sipërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për të formalizuar aktivitetin e tyre kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Masat afatgjata

Masat afatgjata do të jenë thelbësore për tejkalimin e saj. Lufta ndaj informalitetit dhe konkurrenca e drejtë (fair play) për kompanitë private janë ndër masat më të rëndësishme për tu marrë, përfshirë thjeshtimin e sistemit të taksave dhe procedurave, rritjen e kapaciteteve në administratën publike, mbështetjen e mëtejshme dhe incentiva për sipërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për të formalizuar aktivitetin e tyre kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë disbalancat më të mëdha fiskale në rajon (borxhin më të lartë). Sa e rrezikon kjo rimëkëmbjen dhe çfarë duhet të bëjnë qeveritë?

Borxhi publik në Shqipëri u rrit ndjeshëm në gjysmën e parë të 2020-s, dhe përbën 80% të PBB, 14 pikë për qind më shumë së në fund të 2019. Ndërsa situata ekonomike përmirësohet, rregullimi fiskal duhet të vazhdojë për të siguruar një qëndrueshmëri të borxhit. Ndër të tjera, Shqipëria duhet të përmirësojë menaxhimin e investimeve publike dhe të kufizojë riskun fiskal, që mund të lidhet me programet e partneritetit publik-privat.

Shqipëria është në prag zgjedhjesh. Si gjithnjë debati është përqendruar vetëm tek niveli i taksave. Cili është rekomandimi juaj: Si duhet të jetë fokusi afatgjatë i qeverive në programet afatshkurtra, përtej politikave populiste. Sa e rrezikon qëndrueshmërinë fiskale presioni i lartë për të shpenzuar përpara zgjedhjeve?.

Pozita fiskale e Shqipërisë është prekur tashmë këtë vit nga shoku i tërmetit të Nëntorit të shkuar dhe pandemisë COVID-19, duke kufizuar edhe hapësirën për veprim. Hapësira e kufizuar fiskale duhet të përdoret me mençuri, duke prioritizuar shpenzimet për investime në infrastrukturë të cilat gjenerojnë zhvillim ekonomik dhe rrisin konkurrueshmërinë e vendit.

Lidhjet kryesore të transportit duhet të mbeten në fokus krahas infrastrukturës dixhitale e cila është mëse e domosdoshme edhe si pasojë e krizës së shkaktuar nga COVID-19. Përtej vendimeve mbi prioritizimin e shpenzimeve, përmirësimi i kapaciteteve zbatuese të administratës publike do të jetë gjithashtu thelbësor në kuadër të shfrytëzimit maksimal të burimeve të disponueshme si dhe zvogëlimi i hendekut midis angazhimit të fondeve buxhetore dhe materializimit të projekteve.

Çfarë po bëhet me projektin e hekurudhës Tiranë- Durrës, projektin për mbështetjen e ujësjellësit Tirane dhe kërkesën e KESH për mbështetjen e impiantit fotovoltaik lundrues?

Këto janë projekte të rëndësishme në faza të ndryshme të zbatimit të tyre. Në projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës financimi është siguruar. Ne shpresojmë që Hekurudha Shqiptare të mund të përfundojë procesin e prokurimit dhe të zgjedhë kontraktorët së shpejti. UKT është një shembull interesant sesi një projekt i përgjigjet krizës sepse ne kemi drejtuar kursimet e përftuara nga punimet në impiantin e Bovillës në mbështetje të likuiditeteve të kompanisë, të prekura si pasojë e krizës së pandemisë COVID. Projekti i KESH për impiantin fotovoltaik lundrues është në vlerësim dhe është pjesë e fokusit tonë strategjik për zhvillimin e energjisë diellore dhe të erës në Shqipëri.

Si do të ndryshojë përqasja e BERZH ndaj vendeve te rajonit, pas pandemisë?

Vendet e Ballkanit Perëndimor do të mbeten një nga rajonet kryesore për Bankën dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim rrugën drejt përafrimit me BE. Këtë vit në fokus ka qenë veçanërisht parandalimi i pasojave të menjëhershme të shkaktuara nga pandemia COVID-19, mbështetja me likuiditet e klientëve tanë dhe qëndrueshmëria e sistemit bankar dhe infrastrukturës vitale.

Vlen për t’u përmendur se në fund të muajit gusht investimet e BERZH në rajon ishin në shifrën rekord mbi 700 milionë Euro. Duke parë më tej, ne jemi të angazhuar t’i mbështesim vendet tona të përballen me ndryshimet strukturore që do të lindin nga kjo krizë, përfshirë maksimizimin e mundësive që vijnë prej saj si përshpejtimi drejt tranzicionit të gjelbër, dixhitalizimi i ekonomisë dhe integrimi në zinxhirët globalë të vlerës.

Marrë nga Monitor.al

Ju mund të pëlqeni dhe këto